
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës votojnë sot për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar, institucionit që përfaqëson interesat e tyre në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 37.759 qytetarë shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore. Në garë janë katër lista me gjithsej 107 kandidatë, të cilët synojnë të fitojnë 29 ulëset në këtë institucion.
Sipas renditjes në fletëvotim, garojnë LPD–PDSH, me bartës Shqiprim Musliun; PD–LR, me bartës Sali Salihin; PVD–AL, Partia për Veprim Demokratik, si dhe APN, me bartës Levent Qazimin.
Një nga ndryshimet kryesore të këtyre zgjedhjeve është rikthimi i Këshillit në përbërjen prej 29 anëtarësh, nga 15 sa kishte për më shumë se një dekadë. Ky ndryshim vjen pas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kompetenca publike në katër fusha kryesore: arsim, kulturë, informim dhe përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip. Përfaqësuesit e rinj do të kenë mandat katërvjeçar.
Në prag të zgjedhjeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës që të dalin në votime dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar rëndësinë e rikthimit të Këshillit në përbërjen prej 29 anëtarësh, duke përmendur edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë dhe përkrahjes për kulturën.
Ai ka rikujtuar edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.
Pjesëmarrja e qytetarëve në votime pritet të përcaktojë përbërjen e re të institucionit që përfaqëson shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali