Besian Kutleshi ka qenë një prej figurave kryesore të Australisë në fitoren 2-0 ndaj Argjentinës, në ndeshjen e parë të fazës grupore të Kupës së Botës U17.
Futbollisti me prejardhje nga Kosova ishte kapiten i Australisë në këtë përballje, e zhvilluar në Doha të Katarit, ndërsa qëndroi në fushë deri në minutën e 81-të.
Kutleshi konsiderohet një prej talenteve më premtuese të futbollit australian. Ai mund të luajë në disa pozita në repartin defensiv, por në përballjen ndaj Argjentinës u aktivizua në mesfushë, ku edhe udhëhoqi skuadrën si kapiten.
Në nivelin e seniorëve, 17-vjeçari ka të drejtë të përfaqësojë Kosovën ose Shqipërinë.
Në gusht të vitit 2024, ai u bë futbollisti më i ri që debutoi për ekipin e parë të Western Unitedit, pasi kishte nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale në moshën 15-vjeçare.
Një vit më vonë, si 16-vjeçar, Kutleshi luajti edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë me Melbourne Cityn, klub ku aktivizohet aktualisht.
Pas ndeshjeve të para, Australia dhe Mozambiku kryesojnë grupin me nga tri pikë. Mozambiku regjistroi fitore bindëse 4-0 ndaj Danimarkës./Telegrafi/