Me origjinë nga Kosova dhe i njohur në mesin e futbollistëve të njohur evropianë, Cerkin Mehmeti po synon një tjetër sukses në karrierën e tij. Parukieri 33-vjeçar nga Leipzigu do ta përfaqësojë Gjermaninë në Kampionatin Botëror të Parukerisë në Itali, ku do të garojë për titullin e më të mirit në disiplinën “crop fade”.
Cerkin Mehmeti është shndërruar në një emër të njohur në mesin e futbollistëve profesionistë, veçanërisht atyre që luajnë për RB Leipzigun. Por, tashmë, shqiptari me prejardhje nga Kosova synon të dëshmojë talentin e tij edhe në një skenë tjetër ndërkombëtare, duke garuar për Gjermaninë në Kampionatin Botëror të Parukerisë, që mbahet në Paestum të Italisë.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam nominuar. Është një nder i madh për mua ta përfaqësoj Gjermaninë në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Mehmeti për gazetën gjermane BILD.
Ai do të garojë në disiplinën “crop fade”, një teknikë e prerjes së flokëve që kërkon kalim të saktë dhe të njëtrajtshëm nga lëkura te flokët. Në këtë garë do të përballet me parukierë nga 25 vende të ndryshme, ndërsa synimi i tij është i qartë: të kthehet në shtëpi me titullin e kampionit të botës.
Nga salloni në Leipzig te futbollistët e njohur evropianë
Mehmeti, i cili punon në sallonin “Memo’s Cut” në Karl-Liebknecht-Straße të Leipzigut, ka ndërtuar ndër vite një klientelë të veçantë, ku bëjnë pjesë emra të njohur të futbollit evropian.
Gjithçka nisi rreth gjashtë vjet më parë, kur futbollisti Benjamin Henrichs e zbuloi përmes Instagramit dhe e kontaktoi drejtpërdrejt. Prej atij momenti, emri i parukierit shqiptar nisi të përhapej mes lojtarëve.
“Gjithçka filloi me të. Më pas, lajmi u përhap shumë shpejt”, ka treguar Mehmeti.
Në mesin e klientëve të tij të rregullt janë futbollistë si David Raum, Brajan Gruda dhe Ezechiel Banzuzi. Ai ka pasur rastin t’ua rregullojë flokët edhe emrave të tjerë të njohur, ndërsa së fundmi ka qenë parukieri i Yan Diomandes, një prej talenteve të përfolur të futbollit evropian.
Sipas Mehmetit, futbollistët e RB Leipzigut i kanë uruar suksese para garës botërore dhe po e mbështesin nga distanca.
“Është hera ime e parë dhe një sfidë shumë e madhe. Konkurrenca është e fortë”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Edhe Lamine Yamal ka qenë klient i tij
Përvoja e parukierit shqiptar nuk kufizohet vetëm te futbollistët e Leipzigut. Gjatë Kampionatit Evropian të vitit 2024 në Gjermani, ai pati mundësinë t’ia rregullonte flokët edhe yllit të Spanjës, Lamine Yamalit.
Kjo mundësi erdhi përmes Dani Olmos, me të cilin Mehmeti ishte njohur gjatë kohës kur futbollisti spanjoll luante për RB Leipzigun. Olmo e kishte ftuar në hotelin e përfaqësueses spanjolle për t’ia prerë flokët, ndërsa më pas i kërkoi të kujdesej edhe për disa nga bashkëlojtarët e tij.
Kështu, shqiptari nga Kosova pati rastin të punonte edhe me një prej emrave më të njohur të gjeneratës së re të futbollit botëror.
“Nuk më intereson kush ulet në karrige”
Pavarësisht emrave të njohur që frekuentojnë sallonin e tij, Mehmeti thotë se fama e klientëve nuk e shpërqendron nga puna.
“Sinqerisht, nuk më intereson kush është ulur në karrige. Unë thjesht përqendrohem te puna ime. Zakonisht, vetëm pasi përfundoj, e kuptoj plotësisht se kë kam pasur klient”, ka deklaruar ai.
Për të, sfida e vërtetë është përgjegjësia që vjen me punën, pasi prerjet e tij shihen nga mijëra tifozë dhe ndjekës të futbollistëve në mbarë botën.
Tashmë, Mehmeti shpreson që talentin dhe përvojën e fituar me klientët e njohur t’i shndërrojë në sukses edhe në garën ndërkombëtare.
“Do të ishte ëndrra ime më e madhe”, ka thënë ai, duke iu referuar mundësisë për ta fituar titullin e kampionit të botës.
Për shqiptarin me prejardhje nga Kosova, ky do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm në karrierë dhe një mundësi për ta përfaqësuar Gjermaninë në një garë ku synon të dëshmojë se është ndër më të mirët në profesionin e tij./Telegrafi/