
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se do të procedojë me suspendimin nga detyra të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Dr. Gëzim Berisha, pas ndalimit të tij nga organet e rendit.
Përmes një njoftimi, SHSKUK ka bërë të ditur se masa e suspendimit do të ndërmerret pas konfirmimit zyrtar nga organet e rendit dhe drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Institucioni i ka cilësuar jashtëzakonisht të rënda pretendimet për dhunë në familje dhe kanosje, duke ritheksuar qëndrimin për zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës.
SHSKUK ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se rastet e tilla duhet të trajtohen në përputhje me procedurat ligjore.
Ndërkohë, është bërë e ditur se do të sigurohet vazhdimësia e udhëheqjes dhe funksionimi normal i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje apo pengesa në ofrimin e shërbimeve për pacientët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali