Shtatë ditë hetime, 281 të arrestuar për krime seksuale ndaj të miturve – operacioni që tronditi Floridan!

Shtatë ditë hetime, 281 të arrestuar për krime seksuale ndaj të miturve – operacioni që tronditi Floridan!

Written by

in

Një operacion shtatëditor i policisë në Polk County, Florida, ka përfunduar me 281 persona të arrestuar, mes tyre punonjës të Disney World dhe Universal Orlando, një efektiv policie dhe persona të dyshuar për krime seksuale ndaj të miturve.

Operacioni, i quajtur “Polk Around and Find Out II”, u cilësua nga sherifi Grady Judd si më i madhi i këtij lloji në historinë e institucionit.

Sipas autoriteteve, 239 persona u arrestuan për vepra që lidhen me prostitucionin, 31 për dyshime për krime seksuale ndaj të miturve, ndërsa 11 të tjerë për vepra të ndryshme.

Gjatë hetimeve u identifikuan edhe 11 viktima të trafikimit njerëzor.

Mes të arrestuarve ishte edhe Collin Klaco, 24 vjeç, ish-punonjës i Walt Disney World, i cili më parë kishte interpretuar personazhin e Mickey Mouse.

Sipas policisë, ai kishte komunikuar online me një detektiv që paraqitej si kujdestari i një djali 13-vjeçar dhe kishte udhëtuar për t’u takuar me të. Ai përballet me disa akuza që lidhen me tentativën për të kryer vepra seksuale ndaj një të mituri.

Sherifi Judd bëri të ditur gjithashtu se Disney kishte larguar nga puna të 13 punonjësit e kompanisë të arrestuar gjatë operacionit.

Në mesin e të dyshuarve ishte edhe Eric Raymond, një efektiv i Sherifit të Orange County, i cili akuzohet se kishte pranuar të paguante për shërbime seksuale pas komunikimit me një detektiv të infiltruar.

Ai është pezulluar nga detyrat policore dhe është transferuar në detyra administrative deri në përfundimin e çështjes.

Një tjetër rast përfshinte trajnerin e një ekipi futbolli për të rinj, Rashawn Crayton, 31 vjeç, i cili dyshohet se kishte udhëtuar për t’u takuar me një person që besonte se ishte një vajzë 14-vjeçare.

Mes të arrestuarve ishte edhe një pjesëtar aktiv i Marinës Amerikane.

Autoritetet theksuan se hetimi synonte jo vetëm arrestimin e personave të përfshirë në prostitucion, por edhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit dhe shfrytëzimit njerëzor. /Telegrafi/