Shtatë persona, përfshirë pesë fëmijë, kanë vdekur si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në pjesën lindore të Sirisë. Shtatë persona të tjerë janë lënduar, ndërsa katër vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Lajmin e ka bërë të ditur të premten ministri sirian për Menaxhimin e Emergjencave dhe Fatkeqësive, Raed al-Saleh, përmes një deklarate në rrjetin social X.
Sipas tij, pesë fëmijët janë mbytur në pellgje uji të krijuara nga vërshimet, ndërsa një person tjetër ka humbur jetën në një aksident trafiku. Ministri nuk ka dhënë detaje për viktimën e shtatë.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në zonat e përmbytura për gjetjen e personave të zhdukur.
Vërshimet kanë goditur provincat lindore të Raqqas, Deir al-Zorit dhe Hasakahut, si dhe disa pjesë të Alepos. Si pasojë, janë dëmtuar infrastruktura, janë bllokuar rrugë dhe shumë familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ministri al-Saleh ka bërë të ditur se ekipet e Mbrojtjes Civile kanë realizuar më shumë se 550 operacione emergjente që nga fillimi i stuhive. Gjatë këtyre operacioneve janë shpëtuar 60 persona të bllokuar nga ujërat, ndërsa ekipet u janë përgjigjur më shumë se 900 thirrjeve për ndihmë.
Për shkak të situatës, ekipet emergjente kanë evakuuar mbi 350 nxënës nga dy shkolla dhe kanë ndihmuar 375 familje të largohen nga kampet në provincën e Raqqas.
Ndërhyrje janë realizuar edhe në kampet në zonat rurale të Alepos dhe Idlibit, ndërsa uji është larguar nga rreth 250 shtëpi dhe objekte publike.
Burimi: Dukagjini
