
Pesë shtete të BE-së kanë arritur një marrëveshje me Ruandën, e cila u mundëson këtyre shteteve që, azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, t’i dërgojnë në Ruandë.
Në këtë mënyrë, azilkërkuesit do të dërgohen më pas nga Ruanda në vendet e tyre të origjinës, shtetësinë e të cilave e posedojnë.
Kjo marrëveshje është mundësuar nga Rregullorja për Kthim e BE-së, e cila ka hyrë në fuqi muajin e kaluar, raporton Euronews, transmeton Klan Kosova.
Ndërkaq, neni 14 i kësaj rregulloreje përcakton se azilkërkuesit e refuzuar mund të dërgohen vetëm në ato vende që konsiderohen të sigurta dhe ku respektohen të drejtat e njeriut.
Megjithatë, janë shfaqur shqetësime nëse Ruanda i përmbush këto kritere.
Freedom House, organizata amerikane që mat nivelin e lirive në botë, e ka vlerësuar Ruandën me shtatë pikë nga 40 për të drejtat politike dhe me 14 pikë nga 60 për të drejtat civile.
Në të njëjtën kohë, vendi është vlerësuar me zero nga katër pikë sa i përket pavarësisë së sistemit gjyqësor, gjë që ka ngritur dilema nëse emigrantët që mbërrijnë në Ruandë do të marrin trajtimin e duhur.
Parlamenti Evropian ka propozuar suspendimin e kësaj marrëveshje për shkak të këtyre shqetësimeve dhe pretendimeve.
Vendet që kanë arritur marrëveshje me Ruandën janë Danimarka, Austria, Gjermania, Holanda dhe Greqia. /Klankosova.tv