Shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) mbajtën të mërkurën një takim të jashtëzakonshëm në Riad për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet forcave të tyre të armatosura, në një kohë kur vazhdojnë sulmet e grupit jemenas Houthi ndaj Arabisë Saudite.
Takimi u mbajt nga Komiteti i Operacioneve dhe Trajnimit të Forcave të Armatosura të GCC-së, sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
GCC-ja përbëhet nga Arabia Saudite, EBA-ja, Kuvajti, Katari, Bahreini dhe Omani.
Ministria tha se takimi i jashtëzakonshëm u mbajt në selinë e Sekretariatit të Përgjithshëm të GCC-së, por nuk bëri të ditur emrat e pjesëmarrësve.
Sipas ministrisë, në takim u diskutuan “disa çështje që synojnë forcimin e bashkëpunimit të përbashkët ushtarak në fushën e operacioneve dhe trajnimit”, si dhe “zhvillimin e mekanizmave të koordinimit dhe integrimit” ndërmjet forcave të armatosura të vendeve të Gjirit.
Diskutimet synuan gjithashtu të “mbështesin përpjekjet e përbashkëta të mbrojtjes së Gjirit dhe të rrisin gatishmërinë dhe efikasitetin ushtarak në fushën e operacioneve dhe trajnimit”, thuhet në deklaratë.
Deklarata nuk dha hollësi për vendimet e marra gjatë takimit dhe as nuk përmendi drejtpërdrejt diskutimet lidhur me sulmet e Houthive ndaj Arabisë Saudite.
Takimi mbahet në një kohë kur sulmet e grupit jemenas Houthi ndaj Arabisë Saudite po përshkallëzohen dhe po shtohen përpjekjet e vendeve të Gjirit dhe të komunitetit ndërkombëtar për t’i ndalur ato.
GCC-ja ende nuk ka publikuar një deklaratë për takimin.
Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i saj, Jasem Mohamed Albudaiwi, bëri thirrje të dielën për veprime ndërkombëtare “efektive” kundër grupit Houthi, në përfundim të një takimi ministror në Manama.
Në Jemen, përshkallëzimi ushtarak ka vazhduar që nga korriku, mes forcave qeveritare të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Houthive, pas një periudhe qetësie relative të lidhur me armëpushimin që filloi në prill të vitit 2022.
Konflikti në Jemen nisi pasi Houthit morën nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa provinca në shtator të vitit 2014. /AA/