
Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime të shumta dhe ka rikthyer në vëmendje çështjen e mbrojtjes së grave nga dhuna në familje dhe përgjegjësinë e institucioneve.
Arlinda u vra mbrëmjen e 25 tetorit, ndërsa i dyshuari për vrasjen, kunati i saj, sipas Policisë, ende ndodhet në arrati. Sipas informacioneve të para, ajo dyshohet se u vra me sëpatë, brenda shtëpisë, raporton Klankosova.tv.
Rasti cilësohet edhe më shqetësues për faktin se vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Arlinda i ishte drejtuar me një parashtresë urgjente Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje dhe përgjegjësi për atë që ajo i konsideronte dështime institucionale.
Në letrën e saj, ajo kishte paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej, duke shkruar “Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.

Prokuroria ka konfirmuar se parashtresa është pranuar dhe se është urdhëruar trajtimi i saj nga prokurori kompetent. Ndërkohë, avokatja e viktimës, Adelina Hoxha, ka kërkuar që të hetohen të gjitha rrethanat dhe që institucionet të mos nxitojnë në arsyetimin e zyrtarëve të tyre.
Presidentja Justina Shiroka-Pula është shprehur thellësisht e tronditur me rastin makabër të vrasjes së Arlindës.
Ajo ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte.
“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj. Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve. U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që çdo rrethanë e këtij rasti të hetohet dhe drejtësia të vihet në vend”.
Lidhur me vrasjen makabre të Arlindës, ka reaguar e para e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, Haxhiu ka paralajmëruar se do të kërkojë nga komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, me fokus të veçantë te vlerësimi i rrezikut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.
Megjithatë, deri më tani nuk ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Ndërkohë, për vrasjen kanë reaguar edhe përfaqësues politikë e institucionalë, përfshirë Lumir Abdixhikun, Vlora Çitakun, Vjosa Osmanin, Vigan Qorollin dhe Përparim Ramën, me thirrje për drejtësi, hetim të plotë dhe përgjegjësi institucionale.
I pari i LDK-së ka kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për çdo veprim apo mosveprim institucional lidhur me mbrojtjen e Arlindës. Ai ka theksuar se viktimës duhej t’i sigurohej mbrojtja sa ishte gjallë dhe ka kërkuar llogaridhënie nga zyrtarët përgjegjës.
“Arlinda kërkoi të jetonte. Kërkoi mbrojtje nga shteti. Tri ditë para se të vritej, e paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj. Sot, letra e saj është këtu. Arlinda nuk është më. Ajo u vra mbrëmë. Është e padurueshme të lexosh fjalët e një gruaje që kërkon ndihmë, teksa ndjenë pafuqinë e zanit të saj. Ato fjalë godasin secilin prej nesh, si prind, si vëlla, si fëmijë, si bashkëqytetar. Një grua kishte frikë për jetë dhe u la vet!”, shkroi ai.
Edhe ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rastit tragjik në Vitomiricë të Pejës, ku u vra Arlinda Zekaj.
“Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryejë punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim. Mbi të gjitha, është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ngushëllime familjes që humbi më të dashurën e tyre”, shkroi Haradinaj.
Nënkryetararja e Kuvendit nga ana tjetër, ka kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqje nga personat që kishin përgjegjësi për mbrojtjen e viktimës. Çitaku ka theksuar se ligjet dhe strategjitë nuk mjaftojnë pa masa konkrete dhe pasoja për zyrtarët që mund të kenë dështuar në detyrat e tyre.
“Jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional”.
Ndërkohë ish-presidentja Osmani, ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke theksuar se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje, por përfundoi e vrarë.
“Përgjegjësia nuk mund të varroset bashkë me Arlindën. Ajo kërkoi mbrojtje. Drejtësia e la në duart e vrasësit”, ka shkruar Osmani.
E i pari i Prishtinës e ka cilësuar rastin si tragjedi të rëndë dhe alarm për mënyrën se si trajtohet siguria e grave. Ai ka kërkuar hetim të plotë të krimit dhe shqyrtim të çdo veprimi apo mosveprimi institucional, duke theksuar se siguria e grave duhet të jetë garanci e shtetit.
“Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë një shoqëri të drejtë, përderisa gratë vazhdojnë të kërkojnë mbrojtje dhe ne vazhdojmë të numërojmë viktima”, ka shkruar Rama.
Po ashtu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorolli, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në një postim në Facebook, Qorolli ka kritikuar prokuroren e Pejës, Suada Hamza, duke e akuzuar se nuk ka ndërhyrë për ta mbrojtur Arlindën, pavarësisht se ajo kishte kërkuar ndihmë.