Shtyhet seanca ndaj Erion Veliajt, gjykata gjobit avokatët me nga 100 mijë lekë

Shtyhet seanca ndaj Erion Veliajt, gjykata gjobit avokatët me nga 100 mijë lekë

Written by

in

Shtyhet seanca ndaj Erion Veliajt, gjykata gjobit avokatët me nga 100 mijë lekë

Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për më 27 tetor, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës.

Gjykata ka vendosur gjobitjen e tyre me nga 100 mijë lekë të reja secilin, raporton Top Channel, transmeton Klankosova.tv.

Sipas gazetares Anila Hoxha, në seancë nuk ishte i pranishëm asnjë nga të pandehurit dhe asnjë prej avokatëve mbrojtës, ndërsa procesi vijon të përballet me bojkotin e mbrojtjes.

Gjatë seancës, SPAK, me kërkesë të kreut të tij, Altin Dumani, kërkoi që gjykimi të vijojë edhe në mungesë të avokatëve, për sa kohë ata nuk paraqiten. Për këtë qëllim, gjykata caktoi avokatë nga lista e mbrojtësve që ofrojnë ndihmë juridike falas.

Dumani argumentoi se gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që sjellja e të pandehurve dhe avokatëve të tyre të konsiderohet si heqje dorë nga e drejta për mbrojtje, duke përmendur edhe një precedent të Gjykatës së Apelit.

“Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat”, deklaroi Dumani gjatë seancës.

Ndërkohë, një episod tjetër u regjistrua në sallën e gjyqit, teksa gjykata po shqyrtonte çështjen e gjobitjes së avokatëve, të cilët kundërshtojnë rregulloren që ndalon përdorimin e telefonave celularë gjatë seancave.

Në atë moment, telefonit të njërit prej prokurorëve të çështjes, Ols Dado, i ra zilja. Ai e nxori nga xhepi dhe e mbylli menjëherë.