Shtyhet seanca për “Lotarinë Shtetërore”, gjykimi vazhdon më 11 nëntor

Shtyhet seanca për "Lotarinë Shtetërore", gjykimi vazhdon më 11 nëntor

Written by

in

Seanca gjyqësore në rastin “Lotaria Shtetërore”, e cila duhej të mbahej sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, është shtyrë. Seanca e radhës është caktuar për 11 nëntor.

Të pandehur në këtë rast janë ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajrami dhe gjashtë persona të tjerë.

Seanca e fundit dëgjimore u mbajt më 30 tetor, kur dëshmoi Andrej Krstevski, këshilltar për zbatimin e projektit në “Lotarinë Shtetërore”, i cili më parë ishte anëtar i Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës, si dhe zëvendësdrejtor i kompanisë. Ai dëshmoi për mënyrën e vendimmarrjes në kompani dhe procedurën për prokurimin e terminaleve VLT.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga Prokuroria në lidhje me prokurimin e terminaleve VLT, dëshmitari deklaroi se ishte informuar personalisht për idenë nga Bajrami dhe shtoi se kishte mësuar për procedurën menjëherë pas përfundimit të saj nga persona që ishin anëtarë të komisioneve përgjegjëse për kryerjen e procedurave.

Ndryshe, më 3 nëntor, Këshilli Penal në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ia hoqi masën e paraburgimit Bajramit dhe pranoi një garanci në pasuri të paluajtshme me vlerë 1.140.781 euro. Përveç garancisë, ndaj tij u vendosën edhe masa paraprake, duke përfshirë sekuestrimin e dokumentit të udhëtimit dhe paraqitjen e rregullt në Gjykatë.

Përveç Grubit dhe Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.

Sipas aktakuzës, duke tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare, ata i shkaktuan dëm “Lotarisë Shtetërore” në shumën prej 596.125.511 denarësh. Të gjithë të pandehurit deri më tani janë deklaruar të pafajshëm në procedurë.

Akuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procedurat gjyqësore i zhvillon gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski./Telegrafi/