
Gjykata ka liruar nga akuza Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për veprën penale të vrasjes së rëndë, në rastin e sulmit ndaj autobusit ku mbetën të vrarë tre persona.
Në aktgjykimin e siguruar nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, gjykata ka theksuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë dëgjuar të gjithë nxënësit që ndodheshin në autobus dhe që kishin mundësi ta shihnin personin që kishte shtënë me armë në drejtim të tij.
Megjithatë, sipas arsyetimit të gjykatës, asnjëri prej dëshmitarëve nuk ka arritur ta identifikojë sulmuesin.
“Nga dëshmitë e këtyre dëshmitarëve (pasagjerëve) rezulton se asnjëri nga ta nuk ka arritur që ta identifikojë sulmuesin, edhe pse në dëshmitë e tyre, secili prej këtyre dëshmitarëve përshkruan karakteristikat fizike që kujtojnë në lidhje me sulmuesin”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata ka vlerësuar se përshkrimet e dëshmitarëve kanë qenë të përgjithësuara dhe nuk kanë ofruar karakteristika që do të mundësonin identifikimin e saktë të sulmuesit apo lidhjen e tij ekskluzive me të pandehurit.
Pikërisht mungesa e identifikimit të saktë të personit që kishte shtënë me armë është një nga elementet kryesore të trajtuara në arsyetimin për lirimin e Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt nga akuza për vrasje të rëndë, njofton Klankosova.tv.
