Humbja e masës muskulore mund të fillojë rreth moshës 30-vjeçare dhe të përparojë gradualisht me kalimin e viteve, duke vështirësuar edhe veprime të zakonshme si ngritja nga karrigia.
Për të ngadalësuar këtë proces dhe për të ruajtur shëndetin e muskujve dhe të kockave, dietologia Jessica Corwin rekomandon një ushqim të veçantë, gjizën.
Sipas saj, gjiza është një burim shumë i mirë i proteinave të plota dhe kalciumit.
Foto ilustruese
Një filxhan përmban rreth 24 deri në 28 gramë proteina, varësisht nga prodhuesi dhe përmbajtja e yndyrës, si dhe afërsisht 227 miligramë kalcium.
Ajo përmban të nëntë aminoacidet esenciale, të cilat organizmi nuk mund t’i prodhojë vetë dhe që janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e muskujve.
Dietologia thekson se proteinat ndihmojnë në ruajtjen e masës muskulore, ndërsa kalciumi është i domosdoshëm për forcimin e kockave dhe funksionimin e duhur të muskujve.
Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme te gratë me kalimin e moshës, kur ndryshimet hormonale mund të ndikojnë edhe në shëndetin e kockave.
Një tjetër përparësi e gjizës është se mund të konsumohet lehtësisht dhe nuk kërkon përgatitje të veçantë.
Ajo mund të hahet me fruta pylli dhe granola, të përdoret si lyerje për bukë ose të përfshihet në gatime të ndryshme.
Gjithashtu, mund të kombinohet me vezë për një mëngjes të pasur me proteina.
Corwin sugjeron që gjiza të përfshihet rregullisht në ushqyerje, duke nisur me një filxhan në ditë.
Rekomandon marrjen e 1.2 deri në 1.6 gramëve proteina për kilogram të peshës trupore në ditë, të shpërndara nëpër vakte.
Megjithatë, dietologia nënvizon se gjiza nuk duhet të jetë burimi i vetëm i proteinave.
Vezët, fasulet dhe thjerrëzat mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e një ushqyerjeje të ekuilibruar, pasi asnjë ushqim i vetëm nuk mund t’i plotësojë të gjitha nevojat e organizmit. /Telegrafi/