‘Si një raketë që bie nga lart’ – Nëntë të vdekur, të tjera detaje dhe pamje nga rrëzimi një aeroplani në Florida, i cili u përfshi nga flakët

'Si një raketë që bie nga lart' – Nëntë të vdekur, të tjera detaje dhe pamje nga rrëzimi një aeroplani në Florida, i cili u përfshi nga flakët

Written by

in

Një aeroplan biznesi u rrëzua të dielën në një lagje në Florida, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord, njoftoi Sekretari amerikan i Transportit.

Aksidenti ndodhi pranë Cresthaven, rreth nëntë milje (14 km) larg Mar-a-Lago – rezidencës së presidentit Donald Trump në zonën e pasur të qarkut Palm Beach – rreth orës 12:50 sipas kohës lokale.

Dhe pamjet e marra pas rrëzimit tregojnë një krater në mes të një rruge në një zonë banimi, me vatra zjarri, copa betoni dhe mbetje të aeroplanit “Learjet 60” të shpërndara gjithandej.

Aeroplani thuhet se ishte nisur nga Austin, Teksas, dhe kishte si destinacion Bahamasin, bëri të ditur në një deklaratë Administrata Federale e Aviacionit (FAA), shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Raportimet në mediat amerikane dhe analizat e fluturimit tregojnë se aeroplani po binte me shpejtësi të madhe – përpara se të përplasej.

Sipas CBS News, partnerit amerikan të BBC-së, në regjistrimin audio të komunikimit me kontrollin e trafikut ajror – të bërë pak çaste para përplasjes – dëgjohet piloti duke thënë se aeroplani po humbte lartësi me një shpejtësi të madhe.

Më pas, piloti shpalli gjendje emergjence, duke thirrur: “Jemi në kushte shpejtësie të tepruar… Do të përplasemi… Nuk kemi më kohë”, i tha piloti kullës së kontrollit.

Pamje të pakonfirmuara, të publikuara në rrjetet sociale, duket se janë regjistruar nga një kamerë e vendosur në një automjet pikërisht në momentin e përplasjes.

Në to shihen automjete që lëvizin në një rrugë banimi, kur papritur një aeroplan bie drejt tokës pothuajse vertikalisht dhe shpërthen në një top të madh zjarri.

Zyra e Sherifit të Qarkut Palm Beach njoftoi se përplasja ndodhi në “Military Trail”, një rrugë me gjashtë korsi ku ndodhen biznese dhe restorante. /Telegrafi/