Si ta gatuani brokolin pa ia humbur vlerat ushqyese? Ekspertët tregojnë mënyrën më të mirë

Si ta gatuani brokolin pa ia humbur vlerat ushqyese? Ekspertët tregojnë mënyrën më të mirë

Written by

in

Si ta gatuani brokolin pa ia humbur vlerat ushqyese? Ekspertët tregojnë mënyrën më të mirë

Brokoli njihet si një nga perimet më të shëndetshme, falë përmbajtjes së lartë të vitaminave, mineraleve, fibrave dhe përbërësve natyralë që po studiohen për ndikimin e tyre të mundshëm në shëndet. Megjithatë, mënyra e gatimit mund të ndikojë ndjeshëm në sasinë e lëndëve ushqyese që trupi përfiton prej tij.

Sipas ekspertëve, zierja e brokolit në ujë është një nga metodat që shkakton humbjen më të madhe të disa përbërësve të dobishëm. Kjo ndodh sepse një pjesë e vitaminave dhe substancave ushqyese treten në ujë, i cili zakonisht derdhet pas gatimit.

“Zierja shkakton humbjen më të madhe të vlerave ushqyese. Vitamina C dhe glukorafanina treten në ujë, prandaj një pjesë e madhe e tyre përfundon në ujin që derdhet”, ka shpjeguar dietologia Sol Figueroa për Fox News.

Brokoli përmban vitamina A, C dhe K, si dhe glukorafaninë, një përbërës natyral që gjendet edhe në disa perime të tjera të familjes së lakrës. Gjatë tretjes, glukorafanina mund të shndërrohet në sulforafan, substancë që po studiohet për vetitë e saj antioksiduese dhe antiinflamatore, si dhe për ndikimin e mundshëm në shëndetin e mëlçisë, metabolizmit dhe parandalimin e kancerit.

Për të ruajtur sa më shumë nga vlerat ushqyese të brokolit, ekspertët rekomandojnë disa mënyra të thjeshta të përgatitjes:

Gatuajeni me avull: Kjo metodë konsiderohet ndër mënyrat më të mira për të ruajtur enzimat dhe lëndët ushqyese të brokolit.

Shmangni zierjen e gjatë: Nëse vendosni ta zieni në ujë, përdorni një sasi sa më të vogël dhe mos e lini të gatuhet për një kohë të gjatë.

Shtoni pak mustardë pluhur: Mustarda përmban enzimën mirozinazë, e cila ndihmon shndërrimin e glukorafaninës në sulforafan.

Priteni para gatimit: Ndarja e brokolit në copa dhe lënia e tij për rreth 30-40 minuta para gatimit mund t’i japë kohë formimit të sulforafanit.

Mos e hidhni ujin e gatimit: Ai mund të përdoret në supa ose gjellë, në mënyrë që të shfrytëzohen një pjesë e vitaminave dhe përbërësve që kanë kaluar në të.

Edhe gatimi për një kohë të shkurtër në mikrovalë mund të ndihmojë në ruajtjen e lëndëve ushqyese.

Këshilla për përgatitjen e brokolit ka dhënë edhe kuzhinierja dhe blogerja e ushqimit, Felice Kaufman. Ajo rekomandon gatimin me avull për rreth tri minuta, duke kontrolluar nëse perimja është zbutur mjaftueshëm.

“Provojeni një copë. Nëse do ta hanit në atë moment, atëherë hiqeni nga tenxherja. Nxehtësia vazhdon ta gatuajë brokolin edhe pasi e largoni nga zjarri”, ka këshilluar ajo.

Kaufman thekson gjithashtu se nuk duhet hedhur kërcelli i brokolit, por ai duhet të pritet në feta dhe të gatuhet së bashku me pjesën tjetër të perimes.

“Kërcelli është pjesa më e mirë”, shprehet ajo.

Megjithatë, ekspertët bëjnë të ditur se shumica e studimeve mbi përfitimet e mundshme shëndetësore të brokolit janë kryer në laboratorë dhe te kafshët. Për këtë arsye, ende nuk ka prova të mjaftueshme për të pohuar se konsumimi i tij parandalon sëmundje të caktuara.

“Pak brokoli, qoftë organik, i zakonshëm apo i ngrirë, është më mirë se çdo ushqim i përpunuar”, ka përfunduar Kaufman.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali