Si të keni thonj të gjatë dhe të fortë? Dermatologët zbulojnë zakonet që bëjnë vërtet diferencën

Si të keni thonj të gjatë dhe të fortë? Dermatologët zbulojnë zakonet që bëjnë vërtet diferencën

Written by

in

Thonjtë e gjatë dhe të fortë nuk varen vetëm nga manikyri apo produktet kozmetike. Sipas dermatologëve, sekreti qëndron te kujdesi i përditshëm, ushqyerja e duhur dhe shmangia e trajtimeve që mund të dëmtojnë strukturën natyrale të tyre.

Manikyrët me xhel dhe akrilik mund të duken bukur, por përdorimi i shpeshtë, limimi dhe heqja e tyre mund t’i bëjnë thonjtë më të dobët dhe të prirur për t’u thyer.

Specialistët theksojnë se një dietë e pasur me vitamina dhe minerale është ndër faktorët kryesorë për shëndetin e tyre.

Ndër ushqimet që rekomandohen janë vezët, salmoni, arrat, spinaqi, avokadoja, karotat dhe bishtajoret.

Ato përmbajnë biotinë, zink, vitamina A dhe C, acid folik dhe lëndë të tjera ushqyese që ndihmojnë në ruajtjen e strukturës së thonjve.

Një tjetër këshillë e rëndësishme është hidratimi i rregullt. Dermatologët rekomandojnë përdorimin e vajit të jojobës, vajit të avokados dhe gjalpit shea për të mbajtur të hidratuara kutikulat dhe për të parandaluar tharjen e thonjve.

Gjithashtu, këshillohet përdorimi i dorezave gjatë pastrimit, për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me detergjentët dhe kimikatet e forta.

Edhe mënyra e limimit ka rëndësi. Specialistët sugjerojnë përdorimin e një limeje të butë, lëvizjen vetëm në një drejtim dhe shmangien e veprimeve të ashpra që mund të shkaktojnë çarje.

Po ashtu, kafshimi i thonjve dhe dëmtimi i kutikulave mund të pengojnë rritjen e shëndetshme.

Sa i përket suplementeve, biotina mund të ndihmojë në rritjen e trashësisë së thonjve te personat që kanë brishtësi, por nuk duhet të merret pa u konsultuar me mjekun.

Edhe suplementet e hekurit rekomandohen vetëm kur është konfirmuar mungesa e tij.

Dermatologët këshillojnë gjithashtu të bëni pushime nga manikyrët me xhel, pasi përdorimi i shpeshtë mund të shkaktojë dobësim, qërim dhe dëmtim të thonjve.

Nëse ata vazhdojnë të thyhen pavarësisht kujdesit, këshillohet një vizitë te dermatologu, pasi brishtësia mund të lidhet edhe me mungesa ushqyese ose probleme të tjera shëndetësore.

Sipas specialistëve, durimi është thelbësor: një thoi i dorës i duhen rreth gjashtë muaj për t’u rritur plotësisht.

Prandaj, rezultatet kërkojnë kujdes të vazhdueshëm dhe jo zgjidhje të menjëhershme. /Telegrafi/