Si u bënë bitëlsat më të mëdhenj se Shekspiri

Si u bënë bitëlsat më të mëdhenj se Shekspiri

Written by

in

Pasi e kanë lënë në hije Bardin, një atraksion i ri gjigant në Liverpul synon të vendosë Katërshen Fantastike [Fab Four] si forcën më fitimprurëse kulturore të Britanisë.

Burimi: The Telegraph
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

Beatles tani janë një nga kartëvizitat më të mëdha kulturore të Britanisë, duke e kaluar madje edhe Shekspirin [William Shakespeare] kur bëhet fjalë për peshën artistike të vendit. Duhet pranuar se, në terma financiarë, grupi mund të jetë ende pas franshizës së Heri Poterit [Harry Potter]. Por, me Britaninë që tani po bëhet gati për Bitëlmaninë 2.0 [Beatlemania 2.0], mund të mos kalojë shumë kohë para se Katërshja Fantastike t’i bëjnë konkurrencë serioze Djaloshit Magjistar.

Ish-selia e [kompanisë së grupit] Apple Corps në Londër, vendi i koncertit të tyre të famshëm në çati në vitin 1969, hapet për publikun vitin e ardhshëm, ndërsa viti 2028 sjell daljen e filmave biografikë – për të katër anëtarët – për ekranin e madh të [regjisorit] Sam Mendesit.

Megjithatë, edhe këto projekte zbehen në krahasim me sipërmarrjen e shpallur së fundmi nga Apple Corps – një atraksion i madh për vizitorët në qendër të Liverpulit që po quhet Grejslendi [Graceland] ose Dolivudi [Dollywood] i Britanisë – sipas vendeve turistike amerikane kushtuar Elvis Presleyt dhe Dolly Partonit. Ky do të jetë projekti më i madh i lidhur me bitëlsat deri më tani dhe Paul McCartney e ka përshkruar si “të jashtëzakonshëm.”

Atraksioni që do të hapet në vitin 2028, do të bëjë që Apple Corps-i, që menaxhon çështjet komerciale të grupit, ta marrë përsipër, ta zhvendosë dhe ta zgjerojë muzeun ekzistues “Beatles Story” i cili ndodhet në Liverpul. Versioni i ri do të zërë plot 9290.3 metra katrorë. Organizatorët premtojnë se “përvoja e re” do të përfshijë fëmijërinë e anëtarëve të grupit në Liverpul, në Hamburg, në lokalin “The Cavern Club,” në studion “Abbey Road” dhe më shumë …

Lexo po ashtu:
– Dyshja Lennon-McCartney: Tensionet dhe konfliktet që u shndërruan në muzikë
– A e shpëtoi Yoko Ono grupin Beatles?
– Sekreti i gjenisë McCartney: Gjithçka ka të bëjë me basin!
– Në “hijen” e burrit: Paul McCartney përzgjedh fotot e gruas së jetës
– Muza që frymëzoi Paul McCartneyn
– Historia e panjohur e këngës “Imagine”: Imagjino ta bësh një këngë të bukur, për një botë më të bukur
– Miti i rrejshëm për John Lennonin
– “Top-lista” e grupit që ndryshoi muzikën dhe botën – The Beatles dhe këngët e tyre të nënvlerësuara

Kjo na çon te Shekspiri. Sot, Beatles janë ndoshta simbol më i madh i Britanisë edhe se vetë Bardi.

Në vitin 2007, studiuesit në një konferencë në Universitetin e Lidsit argumentuan se albumi i bitëlsave, Sgt Pepper’s Lonely Hearts Club Band, i kishte kaluar dramat e Shekspirit si pikë e referencës kulturore globale. Kjo ishte 19 vjet më parë.

Tani i kanë arritur edhe financiarisht. Sipas të dhënave të fundit nga Trusti i Vendlindjes së Shekspirit [Shakespeare Birthplace Trust] 32 për qind e vizitorëve në Stratford [Stratford-upon-Avon] shkojnë atje posaçërisht për një atraksion të lidhur me Shekspirin. Vlera e përgjithshme e turizmit në Stratford është 250 milionë paundë në vit [afro 300 milionë euro], çka sugjeron se Bardi përbën 80 milionë paundë [afro 96 milionë euro] të kësaj shume.

Ndërkohë, një studim i vitit 2015 zbuloi se Beatles i sjellin Liverpulit 81.9 milionë paundë në vit [98.2 milionë euro]. “Që atëherë është rritur,” thotë David Bedford, guidë turistike vendase dhe autor librash për bitëlsat. Natyrisht, ky krahasim disi i thjeshtuar nuk përfshin as morinë e dramave të Shekspiriti që vihen në skenë në mbarë botën, as milionat e këngëve të grupit Beatles që dëgjohen përmes transmetimit çdo javë. Megjithatë, Beatles fitojnë me një epërsi të vogël. (Lennoni pa dyshim do të buzëqeshte me ironi, pasi dikur deklaroi në mënyrë të famshme: “E urrej Shekspirin.”)

Pra, pasi e kanë kaluar dramaturgun më të famshëm në botë, a mund ta ketë Apple Corps-i synimin ta rrëzojë Heri Poterin nga vendi i forcës më fitimprurëse kulturore të Britanisë?

David Hepworth, autor, mendon se po. “Nuk them se po mendojnë për Shekspirin, por duke gjykuar nga përvoja e ekipit të ri drejtues në Apple, mund të jenë duke menduar për Hari Poterin,” thotë ai. “Çfarë do të doja unë? Nuk kishte asnjë ditë të vetme gjatë kohës kur Beatles ishin bashkë që të mos bënin diçka që ia vlente të përmendej. Do të doja të shihja një ekspozitë që do ta pasqyronte këtë.”

Çuditërisht, një “Beatles Story” krejtësisht i ri do të jetë atraksioni i parë për grupin në Liverpul që drejtohet nga Apple. Asnjë nga 220 muzetë, dyqanet, ambientet dhe turet ekzistuese që për tematikë kanë grupin, nuk e përfshijnë kompaninë e cila mbikëqyr interesat e bitëlsave.

“Kanë qenë të gjithë operatorë të pavarur që kanë bërë punën e tyre,” shpjegon Bedford. Ndonëse atraksioni do të përbëjë një “konkurrencë të madhe,” ai shton se do të jetë “i mrekullueshëm” për Liverpulin. “Një gjë që mund ta garantoni është se, nëse po e bën Apple, atëherë do ta ketë miratimin e Paulit, Ringos, Olivias dhe Yokos [të vejave të George Harrisonit dhe John Lennonit]. Në këtë rast, nuk do të bëhet tepër qesharak. Nuk do të jetë pa shije.”

Andy Burnham sigurisht që shpreson që jo. “Një shtesë e klasit botëror për Liverpulin” është mënyra se si kryeministri e përshkroi atraksionin. Me fjalë të tjera, Burnhami e sheh Dolivudin liverpulas si magnet për turistët dhe si simbol të fuqisë së butë kulturore të Britanisë.

Por, vetëm gjatë dekadave të fundit Apple Corps ka lëvizur drejt shndërrimit në të ardhura të trashëgimisë së grupit të saj më të madh. Kjo sepse nga vitet 1970-1990, kompania ishte e zënë me “përvoja” të një lloji dukshëm më të rrëmujshëm.

E themeluar në vitin 1968, Apple Corps fillimisht duhej të mbikëqyrte shpërbërjen e zgjatur të grupit – të njoftuar në vitin 1970, por të përfunduar ligjërisht vetëm në fund të vitit 1974. Kompania kaloi një pjesë të viteve ‘80 të shekullit XX duke kërkuar honorarë nga shtëpia diskografike EMI (dhe përsëri në vitin 2005), pastaj duke u përballur me Apple Computer për të drejtat mbi emrin dhe logon. Neil Aspinall, ish-drejtuesi i Apple Corps-it, ndërtoi gjithashtu me shumë kujdes një arkiv të fotografive dhe të paraqitjeve televizive të bitëlsave. Vetëm në mesin e viteve ’90 të shekullit XX, kur McCartney, Starr dhe Harrison – Lennon u vra me armë zjarri në vitin 1980, Harrison vdiq në vitin 2001 – kompania filloi të mendonte se çfarë mund të vinte më pas.

Nga viti 1995, projekti i vazhdueshëm Anthology solli një seri dokumentarësh televizivë, një libër dhe tre albume të dyfishta, si edhe dy këngë “të reja” të ndërtuara mbi demo të vjetra të Lennonit. Për fat, kjo veprimtari përkoi me shfaqjen e dy vëllezërve nga Mançesteri të çmendur pas grupit Beatles. Borxhi muzikor i Noel dhe Liam Gallagher ndaj Katërshes Fantastike i ndihmoi jashtëzakonisht bitëlsat. Që atëherë, dhjetëra dokumentarë, albume të rimiksuara dhe libra ua kanë sjellë bitëlsat brezave të rinj.

I pyes dy autorë të njohur të historisë moderne shoqërore dhe kulturore britanike për mendimin e tyre mbi peshën kulturore që kanë sot Beatles. Ajo që është interesante është shkalla në të cilën mendimet e David Kynastonit dhe Alwyn W. Turnerit përputhen.

“Në përgjithësi, më duket se në këtë botë gjithnjë e më pa peshë dhe kalimtare ekziston një dëshirë e qartë nga ana e të rinjve – ose relativisht të rinjve – për diçka të qëndrueshme, siç mishërohet nga ringjallja krejtësisht e papritur e vinilit [disqeve të gramafonit]. Dhe, ndoshta Beatles përfaqësojnë një pikë të qëndrueshme e të përhershme referimi kulturor,” më thotë Kynaston, duke shtuar se tërheqja e grupit qëndron te muzika që ndërthur energjinë dhe pozitivitetin me romantikën dhe mallëngjimin, ndërkohë që njëkohësisht të bën të buzëqeshësh.

Pikëpamja e Turnerit është e ngjashme. “Mendoj se po bëhemi gjithnjë e më nostalgjikë për një kohë kur kishim vërtet diçka të përbashkët – përveç lajmeve dhe futbollit, që janë gjithçka që kemi tani. Beatles janë simbol i një kohe kur vërtet kishim gjëra të përbashkëta. Natyrisht, merret si e mirëqenë se ata ishin kompozitorë jashtëzakonisht të mirë.”

Ndoshta tani, më shumë se kurrë, çështjet që lidhen me trashëgiminë e grupit janë parësore. Në fund të fundit, McCartney është 84 vjeç dhe Starr është 86 vjeç. “E gjithë kjo ka të bëjë me sigurimin e trashëgimisë së tyre afatgjatë, sepse ata e dinë se koha po mbaron. Mendoj se e gjithë kjo është pjesë e kësaj,” thotë Bedford.

Turneri thotë se përmasat e suksesit të bitëlsave janë “pa asnjë krahasim në terma të muzikës pop dhe kulturës pop.”

Megjithatë, ai vë në pikëpyetje se sa gjatë mund të zgjasë ky adhurim. Grupi mund ta ketë tejkaluar Shekspirin, për momentin, por Turneri mendon se Bardi do ta ketë fjalën e fundit.

“Dallimi me Shekspirin është se, vërtet, ato vepra do të zgjasin edhe disa qindra vjet të tjerë,” thotë Turneri. “Nuk jam aspak i bindur se ndonjë muzikë pop do të zgjasë edhe 200 vjet të tjera.” /Telegrafi/