Si u tjetërsuan pronat e shtetit në Prishtinë – Insajderi siguron dosjen e Prokurorisë, tri parcela kaluan në duart e privatëve

Si u tjetërsuan pronat e shtetit në Prishtinë – Insajderi siguron dosjen e Prokurorisë, tri parcela kaluan në duart e privatëve

Written by

in

Si u tjetërsuan pronat e shtetit në Prishtinë – Insajderi siguron dosjen e Prokurorisë, tri parcela kaluan në duart e privatëve

Një dokument që nuk ekzistonte në Arkivin Ndërkomunal të Prishtinës u konfirmua si origjinal nga një zyrtar i këtij institucioni. Pikërisht kjo shkresë, e lëshuar në shkurt të vitit 2023, dyshohet se u bë baza mbi të cilën tri parcela pronësore kaluan nga pronësia shtetërore në emër të një personi privat. Më pas, disa prej tyre u ndanë në dhjetëra parcela të reja dhe përfunduan në pronësi të personave të tjerë.

Gazeta Insajderi ka siguruar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit ndaj zyrtarit Mehdi Bahtiri, i arrestuar dy ditë më parë, më 11 nëntor 2026.

Dosja zbërthen mënyrën se si dyshohet se një vërtetim i rremë arkivor u përdor në procedura administrative dhe gjyqësore, duke bërë që çështja të kalojë nëpër disa institucione, deri në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Insajderi ka mësuar se rasti nuk kufizohet vetëm te një regjistrim i dyshimtë pronësor.

Prokuroria dyshon se mund të ketë edhe raste të tjera të ngjashme, të cilat janë duke u hetuar, ndërsa dëmi i shkaktuar nga tjetërsimi i pronave vlerësohet si i jashtëzakonshëm.

Dokumenti që hapi rrugën për regjistrimin e pronave

Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja nis në vitin 2023, kur në Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Prishtinës ishte paraqitur një kërkesë nga Nebojsha Janjiq për regjistrimin e të drejtave pronësore mbi disa prona.

Janjiq, i cili tashmë është i dyshuar në këtë rast dhe ndodhet në arrati, dyshohet se jeton në Serbi.

Për të vazhduar me procedurën e regjistrimit, Drejtoria e Kadastrit, më 15 shkurt 2023, i ishte drejtuar Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës me kërkesë për verifikimin e dokumentacionit të dorëzuar nga Janjiq.

Në mesin e dokumenteve që kërkohej të verifikoheshin ishte një shkresë në gjuhën serbe, e datës 10 korrik 1997, e cila i referohej një vendimi të vitit 1954.

Pikërisht në këtë fazë, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ndërhyri zyrtari i arkivit, Mehdi Bahtiri.

Më 24 shkurt 2023, përmes shkresës me numër reference 03/2.1/64, Bahtiri kishte kthyer përgjigje zyrtare, duke konfirmuar se dokumenti i dorëzuar nga Janjiq ishte autentik dhe se përputhej me origjinalin që ruhej në depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës.

Ky konfirmim u mundësoi institucioneve të tjera të vazhdonin procedurat për regjistrimin e pronave.

Por, më shumë se tri vjet më vonë, verifikimet e kryera nga Policia e Kosovës dhe vetë Arkivi Ndërkomunal nxorën në pah një fakt tjetër.

Më 21 korrik 2026, gjatë kontrollimit të dokumentacionit arkivor, u konstatua se dokumenti për të cilin Bahtiri kishte lëshuar vërtetimin nuk gjendej fare në dosjen përkatëse të arkivit.

Pra, dokumenti që ishte konfirmuar zyrtarisht si origjinal, sipas gjetjeve të hetuesisë, nuk ekzistonte në arkiv.

Nga një vërtetim në arkiv deri te vendimet e Gjykatës Supreme

Pas konfirmimit të lëshuar nga Arkivi Ndërkomunal, dokumentacioni ishte përdorur në procedurat për regjistrimin e të drejtave pronësore.

Sipas Prokurorisë, shkresa e Bahtirit kishte shërbyer si bazë për veprimet e Zyrës Kadastrale Komunale në Prishtinë dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës, por edhe për vendimmarrjen e gjykatave.

Çështja kishte kaluar nëpër të tri shkallët e sistemit gjyqësor, përfshirë Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme të Kosovës.

Kështu, një konfirmim i lëshuar nga një zyrtar i arkivit dyshohet se kishte ndikuar në një zinxhir vendimmarrjeje institucionale, në përfundim të së cilës tri parcela të paluajtshme kaluan në pronësi të Nebojsha Janjiqit.

Por, historia e këtyre pronave nuk përfundoi me regjistrimin e tyre në emër të Janjiqit.

Të dhënat që Komuna e Prishtinës i ka përcjellë Prokurorisë më 12 nëntor 2026 tregojnë se dy prej parcelave kanë pësuar ndryshime të mëtejshme kadastrale, duke u ndarë në dhjetëra njësi të reja dhe duke kaluar në pronësi të personave të tjerë.

Tri parcelat dhe destinacioni i tyre

Dokumentacioni i Komunës së Prishtinës, i përfshirë në dosjen e Prokurorisë, pasqyron gjendjen e tri njësive kadastrale që dyshohet se janë përfituar përmes kësaj skeme.

Parcela 1640-2, Zona Kadastrale Prishtinë: Kjo njësi nuk ka pësuar ndarje fizike dhe vazhdon të figurojë e regjistruar në emër të Nebojsha Janjiqit.

Parcela 153-31, Zona Kadastrale Matiçan: Përmes një aktvendimi të datës 22 korrik 2026, kjo parcelë është ndarë në 32 njësi të reja kadastrale, me numrat nga 153-83 deri në 153-114. Sipas të dhënave të përcjella në Prokurori, të gjitha këto parcela figurojnë në pronësi të Shaban Misin Morinës.

Parcela 153-32, Zona Kadastrale Matiçan: Edhe kjo parcelë është ndarë, përkatësisht më 5 shkurt 2026. Nga ndarja janë krijuar 15 njësi të reja kadastrale, të cilat, sipas dokumentacionit, kanë kaluar në pronësi të personave të tretë.

Kështu, dy nga tri parcelat fillestare janë shndërruar në gjithsej 47 njësi të reja kadastrale.

Ky zhvillim e bën edhe më të ndërlikuar rikthimin e gjendjes së mëparshme pronësore, pasi pronat nuk figurojnë më vetëm në emër të personit që kishte kërkuar fillimisht regjistrimin e tyre.

Prokuroria dyshon se rasti nuk është i izoluar

Mehdi Bahtiri, me profesion jurist dhe i punësuar në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, u arrestua më 11 nëntor 2026.

Një ditë më vonë, prokurori i Krimeve të Rënda, Bashkim Zeqaj, parashtroi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tij.

Bahtiri dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria e cilëson dëmin e shkaktuar si jashtëzakonisht të madh, ndërsa shpreh dyshime se rasti i Nebojsha Janjiqit mund të mos jetë i vetmi.

Sipas dosjes, organet e hetuesisë janë duke i trajtuar edhe së paku dy raste të tjera të natyrës së njëjtë, për të cilat po zhvillohen hetime në një periudhë dyvjeçare.

Prokuroria po mbledh prova edhe për të verifikuar nëse Bahtiri ka vepruar në mënyrë të ngjashme në dosje të tjera arkivore.

Një prej arsyeve për të cilat Prokuroria kërkon paraburgimin është edhe rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe në provat që ende nuk janë administruar. Sipas saj, Bahtiri, për shkak të pozitës së tij në arkiv, ka njohuri për procedurat e brendshme dhe punonjësit e institucionit, çka mund t’ia lehtësojë ndërhyrjen në dokumentacionin që po verifikohet.

Bahtiri mohon dyshimet, Janjiq vazhdon të jetë në arrati

Gjatë deklarimit të tij në Polici, më 11 nëntor, Mehdi Bahtiri i ka mohuar në tërësi veprat penale për të cilat dyshohet.

Megjithatë, Prokuroria, në arsyetimin e kërkesës për paraburgim, vlerëson se ekzistojnë rrethana që e bëjnë të domosdoshme mbajtjen e tij në paraburgim për të mos rrezikuar zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve.

Hetimet në këtë rast nuk janë kufizuar vetëm te zyrtari i arkivit.

Prokuroria ka nisur procedurë hetimore edhe ndaj Nebojsha Janjiqit, nën dyshimin për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ai dyshohet se kishte paraqitur dokumentacionin mbi bazën e të cilit u kërkua regjistrimi i pronave, ndërsa vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë.

/Insajderi.org

Burimi: Insajderi