Një sulm kibernetik ndaj Binance, bursës më të madhe në botë për tregtimin e kriptomonedhave, ka rezultuar me vjedhjen e aseteve digjitale në vlerë prej 6.3 miliardë dollarësh (5.65 miliardë euro).
Hakerët arritën të depërtonin në sistemet që autorizojnë transferimin e kriptomonedhave dhe të zbraznin portofolet digjitale të përdorura për përpunimin e transaksioneve.
Sipas të dhënave të regjistruara në rrjetin blockchain, pjesa më e madhe e vjedhjes u realizua brenda vetëm rreth 20 minutash, duke shkaktuar një garë për të bllokuar transferimin e fondeve drejt adresave që nuk mund të kontrolloheshin nga autoritetet.
Sulmi nisi pak pas orës 20:00 GMT të enjten, ndërsa përpjekjet për të ndalur lëvizjen e parave u përqendruan në identifikimin dhe bllokimin e adresave ku po dërgoheshin asetet e vjedhura.
Si u zbrazën portofolet digjitale?
Sipas kompanisë amerikane të analizave të blockchain-it, TRM Labs, sulmi ishte përqendruar në infrastrukturën e Binance për autorizimin e transaksioneve.
Duke komprometuar sistemet që miratojnë transaksionet, sulmuesit arritën t’i urdhëronin portofolet e bursës që të lironin fondet, shkruan clashreport.
Fillimisht, Binance dyshoi se ishte komprometuar një kompjuter laptop. Megjithatë, hetimet e mëvonshme identifikuan edhe pika të tjera të depërtimit në sistem, ndonëse kompania nuk ka bërë të ditur se për cilat bëhet fjalë.
“Me fjalë të thjeshta, sulmuesi mund të mos e ketë vjedhur çelësin e kasafortës, por mund ta ketë marrë nën kontroll sistemin që i jep urdhër kasafortës të lëshojë paratë”, i tha Reuters-it Joshua Chu, avokat nga Hong Kongu, i cili merret me çështje të kriptomonedhave.
Mënyra e plotë se si hakerët depërtuan në sistemet e Binance ende nuk është sqaruar.
Gjetjet e TRM-së identifikojnë procesin e autorizimit të transaksioneve si mekanizmin përmes të cilit u zbrazën portofolet e prekura, ndërsa Binance ende nuk ka dhënë hollësi për shkeljet e tjera të sigurisë.
Ngrirja e aseteve nuk do të thotë rikthim i tyre
Pas transferimit të parave, sulmuesit u përpoqën t’i zhvendosnin asetet e vjedhura në mënyrë që ato të mos mund të kontrolloheshin më nga palët e tjera dhe emetuesit e tokenëve.
Rreth gjysma e aseteve të vjedhura ishin monedha të qëndrueshme (stablecoins), të cilat emetuesit e tyre tashmë i kanë ngrirë.
Në mesin e kompanive të përfshira janë Tether, Circle, Ripple dhe World Liberty Financial, sipërmarrja e familjes Trump në sektorin e kriptomonedhave.
Ngrirja ua kufizon sulmuesve mundësinë për t’i përdorur këto asete ose për t’i kthyer ato në para të gatshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Binance do t’i rikthejë fondet e vjedhura.
Kriptomonedhat e tjera ofrojnë më pak mundësi për ndërhyrje.
TRM vlerësoi se rreth 2.4 miliardë dollarë në Bitcoin dhe Ether ishin jashtë mundësive të kontrollit.
Kompania bëri të ditur gjithashtu se një pjesë e fondeve të vjedhura tashmë ishte përdorur si kolateral për të marrë hua në Ether.
“Asnjë kompani nuk e emeton Bitcoin-in apo Ether-in dhe asnjë kompani nuk mund t’i ngrijë këto dy kriptomonedha”, tha Patrick Tan, këshilltar i përgjithshëm ligjor në kompaninë singaporiane të inteligjencës blockchain, ChainArgos.
Tan tha se ndalimi i këtyre aseteve do të kërkonte ndërhyrjen e një burse ose ndërmjetësi që ka mundësi dhe vullnet për t’i ngrirë ato, ose ndërhyrjen e organeve të zbatimit të ligjit për të siguruar çelësat privatë.
Pjesëmarrësit në treg presin që hakerët të përpiqen të fshehin gjurmët duke përzier fondet e vjedhura me asete të tjera ose duke i kaluar ato përmes kriptomonedhave dhe bursave më pak të njohura.
Megjithatë, identifikimi më i gjerë i monedhave të vjedhura mund ta bëjë gjithnjë e më të vështirë transferimin e tyre përmes ofruesve të shërbimeve të pagesave.
Po hetohen lidhjet me Korenë e Veriut
Disa kompani amerikane të analizave të blockchain-it kanë identifikuar ngjashmëri mes këtij sulmi dhe operacioneve që më parë u janë atribuar hakerëve të Koresë së Veriut.
TRM deklaroi se kishte besim të lartë se grupi përgjegjës për sulmin ndaj Bybit vitin e kaluar, të cilin FBI-ja ia atribuoi Koresë së Veriut, qëndronte edhe pas vjedhjes në Binance.
Ndërkohë, Chainalysis bëri të ditur se të ardhurat nga sulmi i muajit të kaluar ndaj Bitget po përziheshin me fondet e vjedhura nga Binance.
Bashkëdrejtori ekzekutiv i Binance, Richard Teng, tha se kompania ende nuk i kishte identifikuar sulmuesit.
Koreja e Veriut rregullisht mohon përfshirjen në vjedhjet e kriptomonedhave dhe sulmet kibernetike.
Binance premton të mbulojë humbjet
Teng tha se Binance do t’i mbulojë humbjet përmes burimeve financiare të kompanisë dhe fondit të saj për mbrojtjen e aseteve të përdoruesve, i cili përmban një rezervë prej një miliard dollarësh në Bitcoin.
Vlera e vjedhjes në Binance tejkaloi 2.9 miliardë dollarët e vjedhur në afro 150 incidente që përfshinë kriptomonedhat gjatë vitit të kaluar, sipas TRM-së.
Çmimet e kriptomonedhave ranë të premten, ndërsa rënia e vlerës së përgjithshme të monedhave të qëndrueshme sugjeroi se investitorët po tërhiqnin paratë nga asetet digjitale. /Telegrafi/