Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se ndodhet për një vizitë zyrtare në Japoni.
Sveçla në një postim në Facebook shkruan se me homologun Hisayuki Fujii kanë biseduar për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi, me theks të veçantë në sigurinë publike, shkëmbimin e të dhënave, emergjencat civile dhe sigurinë kibernetike.
Njoftimi i ministrit Sveçla:
Në kuadër të vizitës sime zyrtare në Japoni, pata kënaqësinë të pritem në takim nga Ministri për Punë të Brendshme dhe Komunikim i Japonisë, z. Hisayuki Fujii.
Kosova dhe Japonia gëzojnë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe të menaxhimit të emergjencave civile. Me Ministrin Fujii diskutuam për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi, me theks të veçantë në sigurinë publike, shkëmbimin e të dhënave, emergjencat civile dhe sigurinë kibernetike.
Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve tona, si dhe për gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët. Në këtë frymë të miqësisë dhe partneritetit, e ftova Ministrin Fujii për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe progresin e arritur, si dhe identifikimit të mundësive të reja për bashkëpunim.