SINJALI 24 | Nga trafikimi seksual i dy të miturave te 136 kg marihuanë, kërcënime e vdekje e dyshimtë – çfarë ndodhi në Kosovë gjatë 24 orëve

SINJALI 24 | Nga trafikimi seksual i dy të miturave te 136 kg marihuanë, kërcënime e vdekje e dyshimtë – çfarë ndodhi në Kosovë gjatë 24 orëve

Written by

in

SINJALI 24 | Nga trafikimi seksual i dy të miturave te 136 kg marihuanë, kërcënime e vdekje e dyshimtë – çfarë ndodhi në Kosovë gjatë 24 orëve

Derisa institucionet po trajtonin një varg rastesh të rënda në pjesë të ndryshme të vendit, hetimet për trafikim seksual të dy vajzave të mitura, arrestimet për 136 kilogramë marihuanë, kërcënimet me armë dhe incidentet në familje kanë shënuar bilancin e ngjarjeve të fundit në Kosovë.

Gazeta Sinjali sjell në SINJALI 24 përmbledhjen e rasteve që kanë vënë në lëvizje Policinë dhe Prokurorinë.

Prishtinë – Dy vajza të mitura, viktima të dyshuara të trafikimit seksual

Dy vajza të moshës 14 dhe 15 vjeçe dyshohet se janë viktima të trafikimit me njerëz dhe shfrytëzimit seksual në Prishtinë. Pas disa muajsh hetime, Policia ka arrestuar një grua 44-vjeçare dhe dy burra, të moshës rreth 67 dhe 70 vjeç.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se tre personat e arrestuar janë Emine Babatinca, rreth 44 vjeçe, Milazim Curri, rreth 67 vjeç dhe Ramadan Selman, rreth 70 vjeç.

Dy vajzat janë dërguar në strehimore të sigurt, ndërsa nën përkujdesjen e Qendrës për Punë Sociale janë marrë edhe dy fëmijë të tjerë, 5 dhe 13 vjeç, të cilët nuk rezultojnë të përfshirë në rastin penal.

Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Ferizaj – 136 kilogramë marihuanë, tre të arrestuar dhe një në arrati

Një operacion i Antidrogës ka përfunduar me sekuestrimin e 136.33 kilogramëve marihuanë, vlera e së cilës në treg vlerësohet mbi 250 mijë euro.

Në mesin e katër të dyshuarve janë Avdush Nuhiji, Taulant Etemi, Albina Cani dhe Jasir Bardi.

Tre persona janë arrestuar, ndërsa Bardi ndodhet në arrati. Gjatë operacionit pati ndjekje policore, aksidente trafiku dhe të shtëna me armë zyrtare, pasi njëri nga të dyshuarit nuk iu bind urdhrit për ndalim.

Policia sekuestroi edhe tri vetura, një motoçikletë, telefona dhe para të gatshme.

Pejë – Shkoi për një borxh, ia drejtoi armën dhe tërhoqi këmbëzën

Një mosmarrëveshje për borxh dyshohet se për pak përfundoi në tragjedi në Dubovë të Madhe.

Musa Haziraj, rreth 58-vjeçar, dyshohet se shkoi në shtëpinë e Valon Kelemendit, 36 vjeç, dhe pas një konflikti ia drejtoi armën e zjarrit, duke tërhequr këmbëzën.

Arma nuk shkrepi, ndërsa i dyshuari u largua me veturë.

Policia arriti ta sigurojë praninë e tij dhe sekuestroi një pistoletë Glock, një karikator dhe 17 fishekë. Haziraj u ndalua për 48 orë.

Mitrovicë – 52-vjeçari gjendet i vdekur në motel, Prokuroria kërkon verifikimin e kamerave

Një 52-vjeçar është gjetur i pajetë në dhomën e motelit “Flamingo”, në Shupkovc të Mitrovicës së Jugut.

Ivica Vukasinovic u gjet i shtrirë në dysheme me fytyrë të mavijosur, pasi recepsionisti kishte tentuar ta kontaktonte pas përfundimit të kohës së qëndrimit.

Vdekjen e tij e konstatoi ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Prokuroria ka kërkuar sigurimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe verifikimin nëse ndonjë person tjetër ishte larguar nga dhoma.

Trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti po hetohet si vdekje e dyshimtë.

Vushtrri – Kërcënoi gjyqtarin brenda zyrës, 64-vjeçari ndalohet për 48 orë

Një 64-vjeçar përfundoi në ndalim pasi dyshohet se kërcënoi një gjyqtar brenda zyrës së tij në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri.

Afrim Shala dyshohet se iu drejtua gjyqtarit J.Z. me fjalët: “Ti do ma paguash këtë borxh, se përndryshe maju mirë”.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Prokurori i Shtetit urdhëroi ndalimin e tij për 48 orë. Rasti po hetohet si kanosje.

Prishtinë – Nëna kërcënoi vajzën me vrasje para policëve, por ndalohet 32-vjeçarja

Një konflikt familjar pas një seance gjyqësore përfundoi me ndalimin e një 32-vjeçareje, ndërsa nëna e saj 56-vjeçare u lirua në procedurë të rregullt.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, nëna dyshohet se i tha vajzës: “Ja merrni ju, ja unë e vras”. Ajo e pranoi se i kishte shqiptuar këto fjalë, duke pretenduar se veproi nga revolta.

Megjithatë, pas konsultimit me Prokurorinë, vajza u ndalua për 48 orë, ndërsa rasti u iniciua si dhunë në familje.

Podujevë – Nuk e ndali as urdhri mbrojtës, 30-vjeçari kërkohet nga Policia

Një 29-vjeçare nga Podujeva ka denoncuar se ishte kërcënuar nga bashkëshorti përmes WhatsApp-it, ndonëse ndaj tij ekzistonte një urdhër mbrojtës i Gjykatës.

Gruaja ka deklaruar se kërcënimet i kishte pranuar më 18 nëntor, ndërsa rastin e raportoi më 27 nëntor.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar hetim për mospërfillje të gjykatës dhe ai është vendosur në kërkim policor.

Fushë Kosovë – Gjendet 16-vjeçarja e raportuar e zhdukur

Është gjetur 16-vjeçarja nga Fushë Kosova, zhdukjen e së cilës babai e kishte raportuar në Polici pasi ajo ishte larguar nga shtëpia më 14 nëntor.

E mitura ka deklaruar se gjatë mungesës kishte qëndruar te shoqet dhe se nuk kishte pasur ndonjë problem. Megjithatë, ajo nuk ka treguar se ku kishte qëndruar dhe as identitetin e personave me të cilët kishte kaluar kohën.

Vajza është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga hetuesit.

Prishtinë – 55-vjeçarit me urdhëresë aktive i vazhdohet ndalimi

Ilir Gecajt, rreth 55-vjeçar, i cili kërkohej me urdhëresë aktive për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, i është vazhduar ndalimi edhe për 48 orë të tjera.

Ai ishte shoqëruar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku gjyqtari i çështjes mori vendim për vazhdimin e masës.

Pas vendimit, Gecaj është dërguar sërish në mbajtje.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali