
Disa lajme bënë bujë, disa ngritën pyetje që kërkojnë përgjigje, ndërsa të tjera mund t’ju kenë shpëtuar mes angazhimeve të ditës.
E shtuna, 14 nëntor, solli zhvillime të pazakonta në drejtësi, raportime që vunë në pikëpyetje përgjegjësinë institucionale, raste shqetësuese të sigurisë dhe një mbrëmje futbolli pa gola në Prishtinë.
Nëse nuk patët kohë t’i ndiqni, Gazeta Sinjali ka përzgjedhur për ju lajmet që ia vlen t’i lexoni para se të mbyllni ditën.
Pronari i lopës lirohet pas raportimeve të Sinjalit
Rasti që nxiti reagime të shumta mori një kthesë të re. Hashim Miftari, i ndaluar për 48 orë pasi lopa e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës në Graçanicë dhe kishte shkaktuar dëme minimale në gjelbërim, u lirua në procedurë të rregullt.
Prokuroria konfirmoi lirimin e tij, ndërsa vendimi për ndalimin ngriti debat për ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e privimit nga liria.
Tri dosjet e prokurorit që urdhëroi ndalimin e pronarit të lopës
Sinjali riktheu në vëmendje raste të mëparshme të trajtuara nga prokurori Blerim Igrishta, përfshirë kërkesën e raportuar për paraburgimin e një 81-vjeçari dhe aktakuzën për një aksident fatal, të hedhur poshtë nga gjykata për mangësi procedurale.
Raportimet ngritën pyetje për standardet e vendimmarrjes prokuroriale dhe përgjegjësinë institucionale.
Vdekja e 43-vjeçares në Klinë, konfirmohen problemet me autoambulancën
Një zhvillim i ri u raportua për vdekjen e 43-vjeçares, gjendja e së cilës ishte rënduar gjatë një kontrolli në QKMF-në e Klinës.
Sipas raportimit të Sinjalit, Policia konfirmoi se sirena dhe dritat emergjente të autoambulancës nuk funksiononin. Rasti ka ngritur pyetje për kushtet e transportimit të pacientes, ndërsa është urdhëruar obduksioni.
Kosova ndalet nga Izraeli, ndeshja në Prishtinë përfundon pa gola
Përfaqësuesja e Kosovës barazoi 0-0 me Izraelin në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dardanët krijuan mundësi për shënim, por nuk arritën ta gjenin golin e fitores. Në pjesën e dytë, Kosova mbeti me një futbollist më pak pas përjashtimit të Veldin Hoxhës.
Me maskë e thikë kërkoi paratë në pompën “Exfis”, pastaj tha se ishte shaka
Një 21-vjeçar dyshohet se tentoi ta grabisë pompën e derivateve “Exfis” në Prishtinë, duke kërcënuar dy punëtorë me thikë.
Kur punëtorët i thanë se nuk kishin para, ai hoqi maskën dhe pretendoi se po bënte shaka. I dyshuari më pas u paraqit vullnetarisht para policëve dhe, pas intervistimit, u lirua në procedurë të rregullt.
Video e sulmit ndaj 14-vjeçarit në Snapchat, familjarët alarmohen në Gjakovë
Një 14-vjeçar u raportua i zhdukur pasi vëllait të tij iu dërgua një video në Snapchat, ku dy persona shiheshin duke e sulmuar në një banesë.
Personat që kishin dërguar pamjet më pas e kishin bllokuar marrësin. I mituri u gjet rreth mesnatës, mori trajtim mjekësor dhe për sulmin u iniciua rast penal për lëndim të lehtë trupor.
Dy raste shqetësuese me të mitura në Prishtinë
Një nxënëse 14-vjeçare u gjet me thikë në shkollën “Zenel Hajdini”, ndërsa gjatë intervistimit denoncoi dhunën e vazhdueshme nga vëllai i saj.
Në një rast tjetër, një vajzë e së njëjtës moshë raportoi dhunë fizike dhe psikike nga babai, duke deklaruar se nuk ishte hera e parë që ai e kishte rrahur.
Të dyja rastet u trajtuan nga Policia.
Bastisje në Gjakovë, sekuestrohen disa lloje drogash të dyshuara
Një operacion policor përfundoi me sekuestrimin e substancave të dyshuara narkotike, përfshirë kokainë, MDMA, ekstazi dhe marihuanë.
Policia sekuestroi edhe peshore digjitale dhe para, ndërsa një 35-vjeçar u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.
Sulm ndaj policit në Vushtrri, 30-vjeçari përfundon në ndalim
Një 30-vjeçar dyshohet se tentoi ta godiste me veturë një zyrtar policor dhe më pas e sulmoi fizikisht, duke e goditur dy herë me kokë.
I dyshuari u arrestua dhe, pas intervistimit, ndaj tij u caktua ndalimi për 48 orë.
Një takim në shkollë përfundon me denoncim për dhunë në familje në Pejë
Një grua denoncoi bashkëshortin, duke deklaruar se ai e kishte denigruar para drejtorit dhe psikologes së shkollës së vajzës së tyre 9-vjeçare.
Sipas saj, pas kthimit në shtëpi, burri e kishte kapur për krahu dhe e kishte nxjerrë jashtë. Një ditë më vonë, ai dyshohet se ia kishte dërguar edhe fëmijët dhe gjësendet personale te prindërit e saj.
Ndaj të dyshuarit nisi hetim penal për dhunë në familje.
Polic i Kosovës gjen drogë të dyshuar pranë banesës së tij në Vushtrri
Një zyrtar policor gjeti në tokë 13.1 gramë substancë të dyshuar narkotike, në kompleksin e banesave ku jeton.
Ai njoftoi kolegët, të cilët sekuestruan substancën. Personi që e kishte lënë aty ende nuk është identifikuar.
Bastisje në Zhegër, sekuestrohen pistoletë TT dhe municion
Policia bastisi shtëpinë e një 24-vjeçari në fshatin Zhegër të Gjilanit, ku gjeti një pistoletë TT, 14 fishekë dhe një karikator të zbrazët.
Ndaj të dyshuarit u ngrit kallëzim penal për posedim të paautorizuar të armëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali