Sipas Gjykatës, 27-vjeçari e kishte kanosur të fejuarën, mbajti paraburgim, u la në liri për t’iu bërë trajtimi psikiatrik

Sipas Gjykatës, 27-vjeçari e kishte kanosur të fejuarën, mbajti paraburgim, u la në liri për t’iu bërë trajtimi psikiatrik

Written by

in

Sipas Gjykatës, 27-vjeçari e kishte kanosur të fejuarën, mbajti paraburgim, u la në liri për t’iu bërë trajtimi psikiatrik

Adonis Demiri, 27-vjeçari i cili mëngjesin e djeshëm u gjet i vdekur bashkë me vajzën e tij tremuajshe në Demiraj të Gjilanit ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Gykata Themelore e Gjilanit tha në një përgjigje me shkrim për T7 se 27-vjeçari ishte gjykuar për kanosje ndaj të fejuarës së tij, dhe se ka qëndruar dy muaj në paraburgim më Forenzikën Psikiatrike në Prishtinë për shkak të dyshimit se kishte përdorur substancë narkotike të llojit kokainë. Një ekspert psikiatër kishte thënë se ai ishte i varur.

“Në lidhje me interesimin tuaj për viktimën A. D., në bazë të regjistrit penal të Gjykatës Themelore Gjilan – Dega Kamenicë, i njëjti është gjykuar për veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të fejuarës së tij. I njëjti ka qëndruar nën masën e paraburgimit prej 2 (dy) muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, pasi që i njëjti dyshohet të ketë përdorur substanca narkotike të llojit kokainë. Eksperti psikiatër i ka rekomanduar gjykatës që i njëjti të dërgohet në këtë institut për shkak varësisë së substancave narkotike”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Gjykata Themelore tha se 27-vjeçarit në qershor i ishte shqiptuar dënimi me 6 muaj burgim, i cili ishte zëvendësuar me gjobë prej 1.800 eurosh. E fejuara e tij, sipas gjykatës, nuk kishte parashtruar “kërkesë pasurore juridike”.

“Me datë 17.06.2026, Dega e Gjykatës Themelore në Kamenicë ka nxjerrë aktgjykim ndaj Adonis Demirit duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, në kuptim të nenit 44 të KPRK-së me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet në dënim me gjobë prej 1.800 Euro, të cilin dënim është i detyruar të paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Pala e dëmtuar E. K. nuk i është bashkëngjitur ndjekjes penale dhe nuk ka parashtruar kërkesë pasurore juridike”, thuhet në përgjigje.

Gjykata Themelore tha se atij në fund i ishte shqiptuar masa e trajtimit të detyruar prikiatrik në liri.

“Konform nenit 18, 84, 86 të KPRK-së dhe nenit KPPRK-së mbi procedurën penale ku përfshihen kryerës me çrregullime mendore, gjykata i shqipton Masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Prokuroria Themelore e Gjilanit po kërkon paraburgim për babain e tij, 65-vjeçarin me inicialet B.D., i arrestuar për vrasje të rëndë.

Prokuroria tha se “në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerre të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike”. Por organi i akuzës nuk tha nëse 65-vjeçari dyshohet për vrasje të dyfishtë.

Rrethanat e rastit nuk janë bërë të ditura plotësisht. As Policia nuk tha nëse 65-vjeçari dyshohet për vrasje të dyfishtë.

Burimi: Insajderi