Skandali me këngën nacionaliste serbe në Bruksel – mediat e rajonit i japin jehonë reagimeve nga Kosova

Skandali me këngën nacionaliste serbe në Bruksel - mediat e rajonit i japin jehonë reagimeve nga Kosova

Written by

in

Interpretimi i këngës serbe “Oj, Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit të organizuar në Bruksel, në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka tërhequr vëmendjen e mediave të rajonit, të cilat kanë raportuar për reagimet e ashpra nga Kosova dhe shprehjen e keqardhjes nga komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Portali kroat Tportal e ka përshkruar këngën si “këngë nacionaliste serbe”, duke theksuar se interpretimi i saj shkaktoi kritika të ashpra nga zyrtarët kosovarë dhe disa eurodeputetë, të cilët pretendojnë se ajo mohon shtetësinë e Kosovës.

Raportimi vë në pah deklaratën e Marta Kos, e cila tha se i vjen keq për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët.

“Sa i përket koncertit të mbrëmshëm, më vjen keq që muzikantët zgjodhën atë këngë. Ajo prek tema të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë”, citohet të ketë thënë Kos.

Mediumi tjetër kroat, Index.hr, gjithashtu e ka cilësuar këngën si “nacionaliste serbe”, por ka publikuar edhe tekstin e saj.

Në raportim janë përfshirë vargjet “Oj, Kosovë, Kosovë, toka ime e dashur” dhe “Të gjithë serbët thërrasin: Nuk të japim, Kosovë”, duke sjellë për lexuesit përmbajtjen e këngës që u interpretua në version instrumental në Bruksel.

Index.hr ka theksuar gjithashtu reagimin e ambasadorit të Kosovës në BE, Agron Bajrami, i cili deklaroi se kënga “paraqet pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës”.

Portali boshnjak Klix.ba ka vendosur theks të veçantë te origjina dhe konteksti historik i këngës.

Klix.ba shkruan se kënga “Sa Kosova zora sviće”, e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, është shkruar në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori nga Beogradi, Ljubomir Manasijeviq, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës.

“Është e qartë se kënga nuk përfaqëson tingullin tradicional kosovar, por atë serb”, thuhet në raportimin e Klix.ba.

Portali ka rikujtuar gjithashtu se kënga fitoi popullaritet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, kur interpretohej në protestat me moton “Kosova është Serbi”.

Gazeta sllovene Delo është përqendruar te fakti se kënga u interpretua nga muzikantë sllovenë në një aktivitet që synonte të përfaqësonte vendet aspirante për anëtarësim në BE.

“Kënga, e cila është veçanërisht e popullarizuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i këndon Graçanicës, Gazimestanit, kalorësve serbë… ‘Nuk të japim, Kosovë’, thotë një nga vargjet e këngës që duhej ta përfaqësonte Kosovën në këtë ngjarje”, shkruan Delo.

Gazeta ka veçuar edhe deklaratën e kryenegociatorit të Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, i cili e cilësoi këngën si nacionaliste serbe dhe kritikoi faktin që Kosova, sipas tij, nuk ishte ftuar në këtë aktivitet.

“U interpretua një këngë nacionaliste serbe që mohon shtetësinë e Kosovës dhe u shkrua në një kohë kur ‘kasapi i Ballkanit’ Millosheviqi po ia merrte të drejtat e Kosovës dhe po shtypte popullin tonë”, ka deklaruar Zulfaj.

Delo ka cituar edhe raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i cili e ka cilësuar përzgjedhjen e këngës si “provokim të qëllimshëm ose injorancë të plotë”.

“Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe me kërkesa territoriale për Kosovën në një ngjarje që shënon zgjerimin e BE-së është një gabim jashtëzakonisht i patakt dhe pa shije”, tha Terras.

Ndryshe, interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” ka shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarët e Kosovës dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Përmbajtja e saj përfshin vargje që shprehin pretendime territoriale serbe ndaj Kosovës, çka nxiti reagime dhe kërkesa për sqarime nga Komisioni Evropian.

Pas reagimeve të shumta, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës, duke theksuar se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian apo qëndrimin e saj personal për Kosovën dhe historinë e saj.

Kos theksoi gjithashtu se institucionet evropiane janë të vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e popujve të rajonit, ndërsa nënvizoi se pajtimi nuk nënkupton harrimin e së kaluarës dhe dallimeve, por ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët ku ato nuk përbëjnë pengesë. /Telegrafi/