
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se gjatë inspektimit të rastit të ndërrimit të foshnjave në Spitalin Amerikan 2 në Graçanicë janë evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjave gjatë dorëzimit te nënat.
Rasti, i cili kishte ndodhur më 18 mars 2026, është trajtuar nga Inspektorati Shëndetësor, ndërsa nga kontrolli janë konstatuar edhe parregullsi të tjera.
Në përgjigjen zyrtare për Gazetën Sinjali, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se infermierja e përfshirë në rast, ndonëse posedonte licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA).
Por shkeljet nuk përfundojnë këtu.
Sipas Ministrisë, gjatë shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e vetë zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor.
Për këtë arsye, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë disa masa.
Inspektorja që kishte trajtuar rastin është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar.
Ndërkohë, zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim, ndërsa përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë.
Ministria e Shëndetësisë ka shprehur keqardhje për shqetësimin dhe pasigurinë e shkaktuar familjeve të prekura, duke theksuar se institucionet përgjegjëse do të monitorojnë zbatimin e masave dhe rekomandimeve.
Ky konfirmim zyrtar nxjerr në pah jo vetëm mangësitë në procedurat e identifikimit të foshnjave, por edhe parregullsitë në mënyrën se si është trajtuar rasti nga zyrtarët përgjegjës të Inspektoratit Shëndetësor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali