
Një vajzë e re në Gjilan ka përjetuar momente të frikshme teksa po ecte rrugës me shoqen e saj. Një person i panjohur, që po lëvizte me biçikletë, dyshohet se iu afrua në befasi, ia kapi çantën e krahut dhe e rrëzoi në tokë. Sulmuesi nuk u ndal me kaq. Sipas deklarimit të viktimës, ai e tërhoqi zvarrë derisa arriti t’ia shkëpuste çantën, për t’u larguar më pas nga vendngjarja.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktima është Viola Bajrami, 22-vjeçare, ndërsa grabitja është raportuar të shtunën, më 31 tetor, rreth orës 20:40, në rrugën “Tefta Tashko”, afër lokalit “Kipper” në Gjilan.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Bajrami po ecte së bashku me shoqen e saj, A.K, kur një person i panjohur, me biçikletë të zezë, iu afrua papritur.
Në ato momente, ai dyshohet se ia ka kapur çantën që mbante në krah, duke e rrëzuar në tokë.
Vajza ka deklaruar se është tërhequr zvarrë gjatë përpjekjes së grabitësit për t’ia marrë çantën, derisa ai ka arritur t’ia shkëpusë dhe të largohet.
Pas grabitjes, i dyshuari është larguar në drejtim të rrugës “Haki Myderizi”, ndërsa identiteti i tij ende nuk dihet.
Njësitë policore kanë reaguar pas raportimit dhe kanë dalë në vendngjarje, ku kanë takuar viktimën dhe shoqen që ndodhej me të në momentin e incidentit.
Rasti është referuar në Prokurori, ku pas shqyrtimit të informacioneve fillestare është urdhëruar inicimi i hetimeve për veprën penale “Grabitja”.
I dyshuari mbetet i paidentifikuar, ndërsa autoritetet po trajtojnë rrethanat e ngjarjes.
Ende nuk janë bërë të ditura përmbajtja e çantës së grabitur dhe vlera e sendeve që ndodheshin në të.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali