
Jakup Krasniqi qëndroi në vizitë katërditore në Kosovë, për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij të sëmurë.
Më 18 nëntor erdhi nga Haga dhe më 21 u kthye.
Gjatë kësaj vizite, ish-zëdhënësi i UÇK-së ishte dashur t’u përmbahej 16 kushteve të përcaktuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ai kishte kërkuar të qëndrojë gjatë gjithë kohës në shtëpinë e tij, pranë familjes, por një gjë e tillë ishte refuzuar.
16 kushtet:
a. KRASNIQI duhet të mbetet në çdo kohë në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK-së);
b. KRASNIQI duhet të mbahet në paraburgim në Kosovë, në objektet e paraburgimit të DHSK-së, kur nuk është duke marrë pjesë në vizitë;
c. KRASNIQI duhet të shoqërohet në çdo kohë;
d. Zyrtarët shoqërues mund të ushtrojnë diskrecionin e tyre për të marrë çdo vendim që e konsiderojnë të nevojshëm lidhur me vizitën gjatë paraburgimit, bazuar në sigurinë operacionale, përfshirë ndërprerjen e parakohshme të vizitës;
e. KRASNIQI nuk duhet të lejohet të qëndrojë vetëm me asnjë person në asnjë moment dhe duhet të mbetet vazhdimisht brenda fushëpamjes dhe dëgjueshmërisë së zyrtarëve shoqërues;
f. KRASNIQI nuk duhet të lejohet të takohet ose të ketë kontakt në çfarëdo mënyre me persona të paautorizuar në lokacionin(et) e identifikuar(a) paraprakisht dhe të miratuar(a);
g. Të gjithë personat e paautorizuar duhet të largohen nga lokacioni i caktuar për vizitën gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj;
h. KRASNIQI nuk duhet të ketë qasje në pajisje komunikimi, stilolaps dhe letër, apo në çfarëdo mjeti tjetër komunikimi të çfarëdo lloji, përveç atyre që vihen në dispozicion nga DHSK-ja;
i. KRASNIQI nuk duhet të lejohet t’i japë apo të marrë sende nga asnjë person;
j. KRASNIQI, anëtarët e familjes së tij, bashkëpunëtorët dhe Mbrojtja e tij duhet të përmbahen nga informimi i cilësdo palë të tretë për vizitën, para dhe gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Kosovë;
k. Mbrojtja duhet t’i informojë anëtarët e familjes së KRASNIQIT, me të cilët ai është i autorizuar të takohet, për detyrimin e tyre që të mos e zbulojnë faktin e lirimit të përkohshëm apo ndonjë hollësi tjetër lidhur me të. Për këtë çështje nuk duhet të ketë asnjë kontakt me shtypin dhe asnjë deklaratë publike;
l. KRASNIQI nuk duhet të diskutojë çështjen e tij me askënd, përveçse me Mbrojtjen e tij;
m. KRASNIQI nuk duhet të ketë kurrfarë kontakti, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërhyjë te viktimat ose dëshmitarët, apo të ndërhyjë në çfarëdo mënyre në procedurat gjyqësore ose në administrimin e drejtësisë;
n. KRASNIQI nuk duhet të kërkojë qasje të drejtpërdrejtë në dokumente dhe as të shkatërrojë prova;
o. KRASNIQI duhet t’i përmbahet rreptësisht çdo urdhri të mëtejshëm të Trupit Gjykues që ndryshon kushtet e vizitës së tij gjatë paraburgimit ose e ndërpret atë; dhe
p. Çdo shkelje e kushteve nga KRASNIQI, Mbrojtja e tij ose familja e tij do të rezultojë në ndërprerjen e menjëhershme të lirimit të përkohshëm.