Prokuroria e Posaçme ka planifikuar blerjen e kasafortave dhe grirëseve të letrave, ndërsa ka paraqitur edhe kërkesë për një psikolog institucional për vitin 2027.
Kërkesa për psikologun lidhet me presionet psikologjike, kërcënimet dhe ngarkesën e lartë me të cilat përballen hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), si dhe me nevojën për asistencë gjatë procesit hetimor.
Këto kërkesa u prezantuan gjatë raportimit të Prokurorisë së Posaçme në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, lidhur me projektbuxhetin e vitit 2027.
– YouTube www.youtube.com
Për pajisjet e zyrave, përfshirë kasafortat, grirëset e letrave, mobiljet dhe pajisjet për ambientet mbështetëse, janë planifikuar 15 milionë lekë. Investimet lidhen me shtimin e personelit dhe funksionalizimin e godinës së re.
Gjatë raportimit, prokurori Alfred Shehu evidentoi se buxheti i SPAK është rritur nga 327 milionë lekë në vitin 2020 në 2,3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%. Për vitin 2027, projektbuxheti i SPAK është parashikuar në 2,32 miliardë lekë.
Sipas Shehut, rritja e buxhetit lidhet me shtimin e volumit të punës, numrit të punonjësve dhe zgjerimin e aktivitetit të institucionit.
Për vitin 2027 janë planifikuar gjithashtu 30 milionë lekë për blerjen e tetë automjeteve dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike. Në raportim u përmendën edhe 10 milionë lekë për pajisje të ndryshme për ambientet e reja.
SPAK ka paraqitur kërkesë për 25 pozicione të reja në strukturën organike, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në BKH.
Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, nga të cilat 161 për Prokurorinë e Posaçme dhe 178 për BKH-në. Numri efektiv i punonjësve është 220, përkatësisht 136 në SPAK dhe 84 në BKH. Në total rezultojnë 119 pozicione vakante, nga të cilat 25 në Prokurorinë e Posaçme dhe pjesa tjetër në BKH.
Gjatë diskutimeve u bë e ditur se kanë nisur procedurat për rekrutimin e 40 hetuesve. Shehu theksoi se nevojitet shtimi i 94 hetuesve të rinj, ndërsa për administratën janë paraqitur 57 kërkesa për punonjës shtesë.
Ai shpjegoi se procesi i rekrutimit kërkon kohë për shkak të verifikimit të dokumentacionit, testimeve dhe kontrollit të pasurisë e figurës së kandidatëve.
Për kategorinë e investimeve kapitale, SPAK nuk ka paraqitur kërkesa shtesë, pasi nevojat janë planifikuar brenda tavaneve buxhetore.
Gjatë diskutimit, deputetja Evis Kushi evidentoi se peshën kryesore të buxhetit e zënë pagat dhe sigurimet shoqërore, ndërsa fondet për investime lidhen me teknologjinë, pajisjet elektronike, sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën e godinave. Kushi ngriti gjithashtu çështjen e realizimit të buxhetit dhe të vendeve vakante, duke kërkuar sqarime për fondet që pritet të realizohen deri në fund të vitit dhe për mënyrën se si parashikohet zgjerimi i strukturës organike. /Tch/