Alberto Nunez Feijoo, kandidati kryesor për kryeministër të ri të Spanjës, ka kërcënuar se vendi i tij mund të tërhiqet nga bashkëorganizimi i Kupës së Botës 2030 nëse finalja e turneut zhvillohet në Marok.
Lideri i opozitës spanjolle këmbëngul se ndeshja më e rëndësishme e kampionatit duhet të luhet në Spanjë, duke i dhënë një dimension të ri politik debatit që prej muajsh po zhvillohet rreth vendit ku do të organizohet finalja.
Feijoo ka bërë të qartë se mbështetja e tij për projektin kushtëzohet me zhvillimin e finales në Spanjë dhe jo në Marok. Sipas planit të organizimit, Spanja, Maroku dhe Portugalia do të bashkëorganizojnë pjesën kryesore të turneut, ndërsa tri ndeshjet hapëse janë planifikuar të zhvillohen në Amerikën e Jugut.
Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim për stadiumin që do ta presë finalen, çka ka nxitur debat të madh mes vendeve organizatore.
Alberto Nunez Feijoo
Kandidati kryesor për të pritur këtë ndeshje është stadiumi i planifikuar “Hassan II” në Kazablanka, i cili parashihet të ketë kapacitet prej 115 mijë ulësesh. Në garë janë edhe Madridi, me “Santiago Bernabeun”, si dhe Barcelona, me “Camp Noun”, të cilat po lobojnë për të siguruar organizimin e finales.
Feijoo, megjithatë, beson se Spanja ka argumente më të forta për ta pritur ndeshjen vendimtare. Ai rikujtoi se Spanja dhe Portugalia ishin pjesë e kandidaturës fillestare, ndërsa Maroku iu bashkua projektit në një fazë të mëvonshme.
“Finalja duhet të mbahet aty ku është e drejtë dhe e përshtatshme, aty ku nuk ka asnjë dyshim: në Spanjë”, deklaroi Feijoo gjatë paraqitjes në emisionin El Chiringuito, në televizionin La Sexta.
I pyetur drejtpërdrejt nëse do ta tërhiqte Spanjën nga organizimi i përbashkët në rast se Maroku fiton të drejtën për ta pritur finalen, ai u përgjigj shkurt: “Po”.
Lideri i opozitës e mbështeti qëndrimin e tij edhe në rezultatet e fundit të futbollit spanjoll, duke theksuar se vendi ndodhet në një pozitë të veçantë, pasi përfaqësueset e tij kombëtare, në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave, kanë fituar tituj botërorë.
“Nëse Spanja nuk e organizon finalen, atëherë nuk duhet të marrë pjesë as në organizimin e turneut”, përfundoi ai./Telegrafi/