Specialja sot shpall aktgjykimin në rastin “Administrimi i Drejtësisë”

Specialja sot shpall aktgjykimin në rastin “Administrimi i Drejtësisë”

Written by

in

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, seanca do të nisë në orën 10:00, ndërsa të pesë të akuzuarit duhet të jenë fizikisht të pranishëm në sallën e gjyqit.

Ata akuzohen për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë, përfshirë ndërhyrjet e pretenduara në dëshmitë e dëshmitarëve dhe shkeljen e urdhrave të gjykatës.

Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dyshohet se gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit ka ndarë informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë dhe ka tentuar të ndikojë në dëshmitë e tyre. Aktakuza përfshin edhe pretendime për kontakte të palejuara me dëshmitarë nga ana e Hajredin Kuçit.

Procesi gjyqësor kishte nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa administrimi i provave kishte përfunduar më 5 gusht të po këtij viti. Pas deklaratave përmbyllëse të palëve, gjykatësi i vetëm e kishte shpallur çështjen të mbyllur më 14 shtator 2026.

Shpallja e aktgjykimit pritet të përcaktojë epilogun e këtij procesi gjyqësor, i cili ka tërhequr vëmendje të madhe publike.

Të gjithë të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në shpalljen e një vendimi përfundimtar nga gjykata.

Burimi: RTKLive