Përballja në stadiumin “Diego Armando Maradona” dhuroi gjashtë gola dhe emocione deri në minutat e fundit, ndërsa Roma vazhdoi serinë e saj pa humbje në kampionat, me pesë fitore dhe tri barazime.
Napoli e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi me një gol spektakolar të Frank Anguissas. Pas një goditjeje dënimi të Matteo Politano-s, topi u largua fillimisht nga mbrojtja, por mesfushori kamerunas realizoi me një goditje akrobatike, duke e dërguar topin në këndin e portës.
Roma u përpoq të reagonte para pushimit, me Bryan Cristanten që ishte pranë golit, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa.
Vendasit e nisën fuqishëm edhe pjesën e dytë dhe vetëm tri minuta pas rikthimit në fushë e dyfishuan epërsinë. Politano harkoi në zonë, ndërsa Scott McTominay u shkëput bukur dhe shënoi me kokë për 2-0.
Kur dukej se Napoli po e kontrollonte plotësisht ndeshjen, Roma nisi rikthimin. Matías Soulé bashkëpunoi bukur me Donyell Malenin dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në këndin e poshtëm të portës, duke ngushtuar rezultatin në 2-1.
Vetëm pak minuta më vonë, kryeqytetasit barazuan shifrat. Pas një goditjeje nga këndi dhe një pasimi me gjoks nga Santiago Castro, Leonardo Balerdi reagoi shpejt dhe goditi fuqishëm për rezultatin 2-2.
Megjithatë, Napoli nuk u dorëzua dhe sërish mori epërsinë falë McTominayt. Pas një aksioni të rrezikshëm, goditja e parë u ndal nga portieri Pierluigi Gollini, por topi përfundoi te mesfushori skocez, i cili me një goditje të fuqishme nga distanca shënoi për 3-2. Ky ishte goli i tij i katërt gjatë javës.
Kur vendasit mendonin se e kishin siguruar fitoren, Roma goditi sërish. Pak para minutave shtesë, Ëesley Franca harkoi në zonë, ndërsa Balerdi realizoi me kokë golin e dytë personal, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3-3.
Pas golit të barazimit, trajneri i Napolit, Max Allegri, u ndëshkua me karton të kuq për protestat e tij.
Ky barazim i dha fund serisë prej katër fitoresh radhazi të Napolit në shtëpi, ndërsa Roma e Gian Piero Gasperinit mund të jetë e kënaqur me pikën e fituar pas një rikthimi të jashtëzakonshëm.
Me këtë rezultat, Roma vazhdon të mbetet e pamposhtur në Serie A këtë sezon dhe të mbajë gjallë ambiciet për të luftuar për kreun e tabelës.
Burimi: RTKLive
