
Një 43-vjeçare, e cila paraprakisht ishte trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Pejës.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se pacientja është dërguar në Emergjencë dje, rreth orës 14:20, pa shenja jete.
Sipas njoftimit zyrtar, ekipi mjekësor ka ndërmarrë përpjekje për reanimimin e saj, por, pavarësisht intervenimit, nuk është arritur rikthimi i shenjave vitale.
“Dje, rreth orës 14:20, në Emergjencën e Spitalit është sjellë një paciente e moshës 43 vjeçare pa shenja jete.
Përkundër përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor dhe reanimimit të ndërmarrë, fatkeqësisht nuk është arritur rikthimi i shenjave vitale”.
Rasti lidhet me pacienten 43-vjeçare, e cila kishte kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e Klinës, ku ishte trajtuar me infuzion.
Sipas informacioneve të raportuara më herët, gjendja e saj ishte përkeqësuar dhe ajo kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të sigurojë dokumentacionin mjekësor të 43-vjeçares, transmeton Klankosova.tv
Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosova, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Ai ka bërë të ditur se, përveç mbledhjes së dokumentacionit mjekësor, do të intervistohen edhe pjesëtarët e stafit mjekësor që u përfshinë në trajtimin e pacientes, si dhe dëshmitarët e pranishëm.
Trupi i pajetë i gruas është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohet obduksionit për të përcaktuar shkakun e vdekjes, njofton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit të QKMF-së në Klinë, gjendja e pacientes ishte përkeqësuar pas marrjes së infuzionit, ndërsa më pas kishte shfaqur një reaksion alergjik.