“Standarde të dyfishta”, shqetësimet brenda Kosovës për “shqetësimet” e BE-së rreth Ligjit për Specialen

“Standarde të dyfishta”, shqetësimet brenda Kosovës për “shqetësimet” e BE-së rreth Ligjit për Specialen

Written by

in

“Standarde të dyfishta”, shqetësimet brenda Kosovës për “shqetësimet” e BE-së rreth Ligjit për Specialen

Votimi në Kuvend për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen nuk kaloi pa reagimin e Bashkimit Evropian.

Brukseli ka shprehur “shqetësime”, duke vlerësuar se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Por, në Kosovë, përfaqësues të politikës, shoqërisë civile dhe avokatisë kanë edhe një varg kritikash për vetë Gjykatën në Hagë, prej mandatit të saj e deri te mënyra se si, sipas tyre, po funksionon drejtësia.

Megjithatë, nisma ka nxitur debat edhe për përputhshmërinë e saj me detyrimet ndërkombëtare të vendit, pikërisht çështjen që BE-ja e vuri në qendër të reagimit të vet.

Ismail Tasholli, nga platforma “Liria ka Emër”, thotë për Klankosova.tv se reagimi i Bashkimit Evropian nuk duhet parë vetëm nga këndvështrimi i detyrimeve të Kosovës, por edhe nga përgjegjësia që, sipas tij, ka vetë BE-ja për mënyrën se si është krijuar dhe mbështetur Gjykata Speciale.

Tasholli e konsideron mekanizmin gjyqësor selektiv në baza etnike dhe kërkon që të trajtohet edhe çështja e barazisë së viktimave para ligjit.

“Reagimi i Bashkimit Evropian duhet parë edhe nga këndvështrimi i përgjegjësisë apo papërgjegjësisë së vet BE-së për mënyrën se si është konceptuar dhe mbështetur Gjykata Speciale. Në vlerësimin tim, Bashkimi Evropian ka cenuar parimet e drejtësisë së barabartë, etikës juridike dhe frymës së standardeve ndërkombëtare kur ka mbështetur krijimin e një mekanizmi gjyqësor me karakter selektiv etnik, brenda rendit kushtetues të një shteti qytetar dhe multietnik si Kosova”, tha Tasholli.

Siç thotë ai, nuk mund të kërkohet nga Kosova respektim i detyrimeve ndërkombëtare pa u diskutuar edhe parimi i trajtimit të barabartë para drejtësisë.

“Nuk mund të kërkosh respektim të detyrimeve ndërkombëtare, ndërkohë që shmang pyetjen themelore, a është respektuar parimi i barazisë para ligjit dhe i trajtimit të barabartë të viktimave, pa dallim etnie?, deklaroi ai për Klankosova.tv

Tasholli shtoi se BE-ja, para se ta kritikojë Kosovën, duhet t’u përgjigjet edhe kritikave që ai i cilëson si shqetësime për standarde të dyfishta.

“Prandaj, Bashkimi Evropian, përpara se ta kritikojë Kosovën, duhet t’u përgjigjet edhe shqetësimeve legjitime për standardet e dyfishta dhe selektivitetin e këtij mekanizmi. Kosova ka detyrime ndërkombëtare, por edhe Bashkimi Evropian ka përgjegjësi morale dhe institucionale për të garantuar që drejtësia të mos jetë instrument i pabarazisë”, u shpreh Tasholli.

Edhe avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për Klankosova.tv, tha se debati për Specialen duhet të përfshijë edhe mënyrën e funksionimit të saj, llogaridhënien dhe trajtimin e provave.

Ai foli edhe për raportin mes gjykatës dhe Prokurorisë, si dhe për peshën që, sipas tij, u është dhënë provave të caktuara dhe trajtimin e provave shfajësuese.

“Shqetësimi më i madh do të duhej të ishte se si në qendër të Evropës një gjykatë funksionon pa llogaridhënie, shfaq hapur afërsi me Prokurorinë, u jep peshë provave të siguruara nga një regjim që ka ushtruar gjenocid, anashkalohen provat shfajësuese dhe, përmes vendimeve të saj, rrezikon të ndikojë në riformësimin e narrativës historike të një populli”, tha Bajraktari.

Avokati kërkoi qartësim të mandatit të gjykatës dhe forcim të garancive procedurale, duke theksuar se respektimi i detyrimeve ndërkombëtare duhet të shoqërohet me standarde të njëjta edhe për institucionet e drejtësisë.

“Këto nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohen, prandaj duhet qartësim të mandatit të gjykatës, forcim të garancive procedurale dhe respektim strikt të rregullave bazë të drejtësisë. Nëse nga Kosova kërkohet respektim i zotimeve ndërkombëtare, gjë të cilën e ka bërë dhe po e bën, të njëjtat standarde duhet të kërkohen edhe nga institucionet e krijuara në emër të drejtësisë”, thotë avokati Bajraktari.

Ndryshimi në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i iniciuar nga PDK-ja, u miratua në lexim të parë të hënën, më 5 tetor, ndërsa në lexim të dytë kaloi në minutat e fundit të së martës, më 6 tetor, raporton Klankosova.tv

Dy ditë më vonë, më 8 tetor, Bashkimi Evropian reagoi zyrtarisht, duke kërkuar që Kosova t’u përmbahet zotimeve ndërkombëtare dhe të mos cenohet pavarësia e Gjykatës Speciale.

Në deklaratën e tij, Brukseli rikujtoi se Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor i pavarur, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës më 2014 dhe 2015, që funksionon brenda sistemit juridik të vendit dhe ka bazë edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Përveç kësaj, Bashkimi Evropian kërkoi që të respektohen zotimet për llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe të garantohet siguria e dëshmitarëve.

Por, ndërsa Brukseli kërkon respektimin e mandatit të gjykatës, në Kosovë ka qëndrime se Kuvendi ka të drejtë të ndërmarrë nisma ligjore dhe se çdo dilemë për kushtetutshmërinë e tyre duhet të shqyrtohet nga institucionet kompetente në vend.

Kështu u shpreh deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, njëherësh anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe përfaqësues i partisë që e inicioi ndryshimin e ligjit.

Gruda tha se Kuvendi nuk ka nevojë ta konsultojë Gjykatën Speciale për nismat e veta ligjore, ndërsa për çështjet që lidhen me kushtetutshmërinë, sipas tij, adresa është Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.

“…Ligji për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është shkruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk e shkel Kushtetutën dhe nuk i shkel detyrimet ndërkombëtare të Kosovës…” – tha fillimisht ai.

Sipas Grudës, ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale.

“…Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet. Jam i bindur se në fund Gjykata Speciale do të duhet ta zbatojë atë…”, potencoi deputeti.

Gruda u përgjigj edhe në tri pyetje: “A është shkruar ligji siç duhet? Po. A e pengon ligji Dhomën Kushtetuese në Hagë që ta rrëzojë këtë ligj? Po. A e shkel kjo Kushtetutën? Jo“. – tha ndër të tjera Gruda.

PDK e ka arsyetuar nismën me nevojën për të ndryshuar dispozita që, sipas saj, duhet të rishikohen në raport me mandatin e Gjykatës Speciale.

Ndryshimet e propozuara përfshijnë çështje që lidhen me kufijtë e dënimeve, mundësinë e vuajtjes së tyre në Kosovë dhe kompetencat në procedurat gjyqësore.

Pse u iniciuan ndryshimet për Specialen?

Për ta kuptuar pse kjo nismë mori kaq shumë vëmendje, duhet kthyer te vendimi i Gjykatës Speciale i 16 shtatorit.

Atë ditë, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18, ndërsa Selimi me 13 vjet.

Të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar ankesa ndaj aktgjykimit në Gjykatën e Apelit.

Vendimi nxiti reagime të shumta në Kosovë dhe protesta në mbështetje të ish-komandantëve të UÇK-së.

Në këtë klimë, PDK-ja e inicioi ndryshimin e ligjit, duke argumentuar se duhen rishikuar kompetencat dhe mënyra e funksionimit të Gjykatës Speciale.

Projektligji i propozuar synon, ndër të tjera, të ndryshojë kufirin e dënimeve, të mundësojë që dënimet të vuajnë në Kosovë dhe të përfshijë dispozita të tjera që prekin funksionimin e mekanizmit gjyqësor. / Klankosova.tv