Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të premten se zëvendësshefi i kabinetit, Stephen Miller, do ta zëvendësojë Susie Wiles në pozitën e shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump e ka vlerësuar punën e Wiles, duke thënë se ajo ka bërë një “punë të jashtëzakonshme”, ndërsa ka bërë të ditur se ajo do të kalojë në kuadër të “Trump Political Operation”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sipas njoftimit të Trumpit, Miller do ta marrë zyrtarisht detyrën e re të hënën.
Ky ndryshim në administratën amerikane vjen pas një serie humbjesh të mëdha të republikanëve në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026, përfshirë humbjen e kontrollit mbi të dy dhomat e Kongresit.
Sipas një zyrtari amerikan, Wiles ia kishte dorëzuar dorëheqjen Trumpit të enjten në mbrëmje. Tri burime i kanë thënë CBS News se largimi i saj lidhet me rezultatet e dobëta të republikanëve në zgjedhjet afatmesme.
Në një deklaratë, Wiles ka thënë se të qenit pjesë e ekipit të Trumpit ishte “nderi i jetës së saj”.
“Jam shumë krenare që kam qenë pjesë e asaj që kemi arritur së bashku, nga sigurimi i kufirit dhe ulja e taksave, te forcimi i ekonomisë sonë dhe vendosja e Amerikës të parën. Edhe pse roli im mund të ndryshojë, përkushtimi im ndaj Presidentit dhe misionit nuk do të ndryshojë kurrë”, ka deklaruar ajo.
Wiles konsiderohej një nga figurat më me ndikim në administratën Trump dhe një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të presidentit amerikan.
Madje, muajin e kaluar, kur ishte pyetur nëse Wiles mund të zëvendësohej së shpejti, Trump kishte mohuar një mundësi të tillë.
“Zero mundësi. Susie është këtu dhe do të qëndrojë këtu për një kohë të gjatë”, kishte deklaruar ai.
Ndërkohë, Stephen Miller njihet si arkitekti i politikave të ashpra të Trumpit për emigracionin dhe dëbimet.
Ai ishte këshilltar i lartë i presidentit edhe gjatë mandatit të tij të parë dhe ka mbetur një nga aleatët më besnikë të tij, edhe pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Përveç Wiles, pas zgjedhjeve afatmesme është raportuar edhe për largimin e disa zyrtarëve të tjerë të administratës amerikane.
Në mesin e tyre janë John Eisenberg, drejtues i Divizionit të Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë, si dhe Jason Reding Quiñones, i njohur për përfshirjen në hetimet lidhur me zyrtarët që kishin shqyrtuar trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trumpi.
Burimi: Dukagjini
