E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi është vënë në pikëpyetje. Sulmuesi kosovar nuk është i kënaqur me hapësirën që po merr në skuadrën italiane dhe, sipas Tuttosport, po shqyrton mundësinë e largimit gjatë afatit kalimtar të janarit.
Zhegrova ende nuk ka pasur mundësinë të startojë në asnjë ndeshje këtë sezon, ndërsa që nga transferimi në Torino ka qenë titullar vetëm në dy takime. Pavarësisht se tashmë është rikuperuar fizikisht, ai mendon se meriton më shumë minuta në dispozicion.
Situata e tij është komplikuar edhe nga konkurrenca e madhe në repartin ofensiv. Rikthimi i lojtarëve të dëmtuar dhe planet e trajnerit Luciano Spalletti për ta përdorur Randal Kolo Muanin në krahun e djathtë kanë zvogëluar hapësirën për sulmuesit e tjerë.
Sipas gazetës italiane, Juventusi është i gatshëm të dëgjojë ofertat për Zhegrovën në janar, madje nuk e përjashton as mundësinë e një huazimi, me qëllim që futbollisti të rifitojë ritmin dhe të ketë më shumë hapësirë për të luajtur.
telegrafi.com
Kolo Muani ndryshon planet e Juventusit
Spalletti po planifikon ta përdorë Kolo Muanin si sulmues të krahut të djathtë në skemën 4-3-3. Francezi ka lënë përshtypje pozitive në paraqitjet e fundit, duke shënuar një gol dhe dhënë një asist ndaj AZ Alkmaar, ndërsa ishte i përfshirë edhe në aksionin që solli golin e Nick Woltemades kundër Fiorentinës.
Ky ndryshim taktik mund të ndikojë drejtpërdrejt te e ardhmja e dy sulmuesve të krahut, Edon Zhegrovës dhe Francisco Conceicaos.
Për këtë të fundit, bisedimet për rinovimin e kontratës kanë ngecur, ndërsa Juventusi thuhet se do të shqyrtonte një ofertë prej të paktën 40 milionë eurosh në janar.
Zhegrova, nga ana tjetër, dëshiron të ketë më shumë mundësi për të treguar cilësitë e tij. Kosovari ka kontratë me Juventusin dhe konsiderohet një futbollist me potencial, por mungesa e minutave mund ta shtyjë drejt një aventure të re, të paktën përkohësisht.
Sipas Tuttosport, njëri prej Zhegrovës dhe Conceiçãos mund të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi Juventusi synon t’i krijojë hapësirë Kolo Muanit në projektin e ri ofensiv të Spallettit. /Telegrafi/