Studentja në Gjermani gjobitet me 25 euro pasi u ul në këndin e lojërave pa pasur fëmijë me vete

Studentja në Gjermani gjobitet me 25 euro pasi u ul në këndin e lojërave pa pasur fëmijë me vete

Written by

in

Një studente 31-vjeçare në Gjermani është gjobitur me 25 euro pasi u ul në një stol në një kënd lojërash për t’u qetësuar, pasi ishte përfshirë emocionalisht nga problemet personale dhe financiare.

Ngjarja ndodhi më 25 tetor në parkun Glückaufpark, në qytetin Gelsenkirchen, ku studentja e kimisë kishte dalë për një shëtitje.

Ajo u ul në një stol dhe telefonoi tezen e saj, ndërsa po qante për shkak të vështirësive me të cilat po përballej gjatë studimeve.

Në atë moment, tre inspektorë komunalë iu afruan dhe e pyetën nëse dy djemtë që po luanin aty pranë ishin fëmijët e saj.

Pasi ajo u përgjigj se nuk ishte nëna e tyre, zyrtarët i kërkuan dokumentet dhe e njoftuan se do të gjobitej me 25 euro.

Sipas rregullores komunale, këndet e lojërave në Gelsenkirchen janë të rezervuara për fëmijët deri në moshën 14-vjeçare dhe të rriturit që i shoqërojnë ose i mbikëqyrin ata.

Studentja tha se nuk ishte në dijeni të këtij kufizimi dhe se do të ishte larguar nëse zyrtarët thjesht do t’i kishin kërkuar.

Autoritetet komunale e mbrojtën vendimin, duke e cilësuar gjobën si relativisht të ulët dhe proporcionale.

Ndërkohë, rasti ka nxitur reagime nga banorët dhe përfaqësuesit politikë lokalë, të cilët kanë kërkuar më shumë fleksibilitet në zbatimin e rregullave dhe kanë vlerësuar se një paralajmërim verbal do të kishte mjaftuar.

Ironikisht, këshilli bashkiak ka diskutuar edhe mundësinë e rritjes së gjobës maksimale për përdorimin e paautorizuar të këndeve të lojërave nga 55 në 60 euro.

Studentja, e cila tashmë e ka paguar gjobën, ka kritikuar këtë propozim, duke thënë se ndëshkimet duhet të parandalojnë shkeljet dhe jo të shndërrohen në burim të ardhurash për komunën. /Telegrafi/