
Liga spanjolle e futbollit, La Liga, ka rënë pre e një sulmi të rëndë kibernetik, gjatë të cilit persona të paautorizuar kanë arritur të nxjerrin të dhëna personale nga një prej platformave të saj digjitale, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht vetë organizata e futbollit spanjoll këtë të hënë, duke bërë të ditur se ndërhyrja në sistemet e saj ka ndodhur gjatë periudhës 14–16 nëntor.
Sipas njoftimit të La Ligës, nga ky incident i sigurisë janë prekur drejtpërdrejt të dhënat personale të përdoruesve të një platforme të dedikuar për tifozët, si dhe informacione të tjera të ndjeshme që lidhen me klubet spanjolle.
Megjithatë, shkalla e plotë e rrjedhjes së të dhënave mbetet ende e paqartë. Deri në këto momente nuk është saktësuar numri i individëve apo klubeve të prekura, e as lloji konkret i informacioneve që kanë përfunduar në duart e sulmuesve.
Siç raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, drejtuesit e La Ligës po vazhdojnë vlerësimin e detajuar të dëmeve dhe pritet që në vijim të përcaktojnë përmasat e plota të këtij sulmi kibernetik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali