
Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite u ka bërë thirrje shtetasve kosovarë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve saudite dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, në kuadër të zhvillimeve të situatës aktuale në vend dhe rajon.
Në njoftimin e saj, Ambasada këshillon qytetarët që, kur kjo rekomandohet nga autoritetet kompetente, të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të përcjellin me vëmendje udhëzimet dhe njoftimet zyrtare të institucioneve të Arabisë Saudite.
Njëkohësisht, shtetasit kosovarë këshillohen të mos u drejtohen aeroporteve pa e verifikuar paraprakisht statusin e fluturimeve me kompanitë përkatëse ajrore, duke pasur parasysh ndërprerjet dhe pezullimet e shpeshta të operimeve ajrore.
Sa u përket udhëtimeve drejt aeroporteve në shtetet fqinje, Ambasada thekson se ato duhet të ndërmerren vetëm në raste të domosdoshme, pas vlerësimit të kushteve dhe mundësive të udhëtimit.
Ambasada ka bërë të ditur se, sipas informatave që disponon, shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen në Arabinë Saudite janë mirë me shëndet.
Institucioni diplomatik njofton se po i përcjell me vëmendje zhvillimet dhe mbetet i përkushtuar për t’i informuar qytetarët për çdo zhvillim me rëndësi që lidhet me sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
Në fund, Ambasada u bën thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe në rajon që të ruajnë qetësinë, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mbështeten vetëm në burime zyrtare të informacionit.
Kontaktet emergjente të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite:
Numri emergjent mobil: 0537508835
WhatsApp: +9660537508835
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Sulmet e huthëve në Arabinë Saudite, ambasada e Kosovës me apel për shtetasit kosovarë: Qëndroni në ambiente të mbyllura appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali