Superliga e Kosovës kthehet sot me dy përballje në kuadër të xhiros së tetë, ku Llapi, Ballkani, Drita dhe Malisheva synojnë të marrin pikë të rëndësishme në kampionat.
Sfida e parë e ditës zhvillohet në Podujevë, ku Llapi përballet me Ballkanin nga ora 14:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Skuadra vendase po kalon një fillim të vështirë të sezonit, pasi në shtatë xhirot e para ka regjistruar vetëm një fitore dhe gjashtë humbje. Për këtë arsye, podujevasit do të kërkojnë të shfrytëzojnë terrenin vendas për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.
Në anën tjetër, as Ballkani nuk vjen në këtë takim në momentin më të mirë, pasi nuk ka arritur të fitojë në tri ndeshjet e fundit. Suharekasit synojnë ta ndërpresin këtë seri dhe të rikthehen te fitorja.
Dueli tjetër zhvillohet në Gjilan, ku Drita e pret Malishevën nga ora 18:00, në stadiumin me bari artificial.
Kampionët e Kosovës do të synojnë të shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendas për të arkëtuar pikët e plota, por përballë do ta kenë një kundërshtar që po kalon një periudhë mjaft të mirë.
Malisheva ka regjistruar pesë fitore, një barazim dhe vetëm një humbje në shtatë xhirot e para, duke dëshmuar se është një skuadër konkurruese në këtë edicion. Përballja me Dritën pritet të jetë një tjetër provë e rëndësishme për formën e malishevasve.
Xhiroja e tetë e Superligës do të vazhdojë të shtunën me dy ndeshje të tjera, ndërsa kjo xhiro do të përmbyllet të dielën me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit.
Burimi: RTKLive
