
Prodhuesi kinez i automjeteve BYD, përmes markës së tij premium Denza, ka realizuar një demonstrim të pazakontë të fuqisë së automjeteve hibride, duke tërhequr një aeroplan Boeing 747-400, me peshë rreth 180 tonë, me SUV-in Bao 5 duke përdorur vetëm dy rrota.
Testimi u zhvillua në aeroportin Dunsfold, në Surrey të Anglisë, ku kompania synoi të dëshmonte potencialin e sistemit të fuqisë elektrike të automjetit.
Sipas Denza-s, ky është demonstrimi i parë në të cilin një automjet i prodhimit tërheq një aeroplan duke përdorur vetëm dy rrota, si dhe rasti i parë kur një Boeing 747 tërhiqet vetëm me energji elektrike.
Sfida u realizua në tri faza. Fillimisht, Bao 5 e tërhoqi aeroplanin me katër rrota, më pas me tri, ndërsa në provën përfundimtare përdori vetëm dy rrota. Në të tria provat, automjeti përshkoi gjithsej 1 mijë e 600 metra.
Për këtë demonstrim, inxhinierët instaluan një mekanizëm të posaçëm tërheqjeje dhe shtuan peshë në automjet për të ruajtur stabilitetin, pa ndryshuar sistemin e tij të fuqisë.
Denza Bao 5 është i pajisur me motor 1.5-litërsh turbo me benzinë dhe tre motorë elektrikë, të cilët së bashku prodhojnë 544 kuaj fuqi.
Testimin e vështirësuan edhe reshjet e dendura të shiut, të cilat ulën kapjen e gomave me pistën. Megjithatë, ekipi arriti ta përfundonte me sukses sfidën.
Pas përfundimit të provës, kompania njoftoi se kontrollet nuk zbuluan dëmtime apo shenja të mbingarkesës së tepruar në motor, shasi ose goma.
Përmes këtij demonstrimi, Denza synon të tregojë aftësitë e teknologjisë hibride dhe fuqinë e motorëve elektrikë edhe në kushte të jashtëzakonshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali