Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur aksionin i cili rezultoi me kapjen e gjashtë personave të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish-ministrin e Kulturës Astrit Haraqija, për trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në rajonin e Prishtinës.
Në aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, substanca të tjera narkotike, përfshirë marihuanë dhe ekstazi, si dhe asete në vlerë të përgjithshme rreth 301 mijë euro.
Sveçla ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbështesin veprimet e institucioneve të sigurisë, me qëllimin për të goditur grupet kriminale në çdo nivel të organizimit të tyre.
Gjatë operacionit janë gjetur edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, si dhe pajisje për vëzhgim.
Po ashtu, janë konfiskuar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, përfshirë euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë. Në mesin e pasurisë së sekuestruar janë edhe 6 vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike.