Tahiri: Kosova duhet t’i marrë përgjegjësitë e veta dhe t’i ndihmojë çlirimtarët

Tahiri: Kosova duhet t’i marrë përgjegjësitë e veta dhe t’i ndihmojë çlirimtarët

Written by

in

Tahiri: Kosova duhet t’i marrë përgjegjësitë e veta dhe t’i ndihmojë çlirimtarët

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, në Komisionin për Legjislacion ka deklaruar se grupi parlamentar i kësaj partie do ta mbështesë pozicionin e sponsorizuesit lidhur me dekretin e presidentes për Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar që çdo ndryshim eventual i ligjit të bëhet sa më shpejt, por përmes procedurave të rregullta parlamentare.

Tahiri ka thënë se Kuvendi është vonuar në trajtimin e kësaj çështjeje, ndërsa, sipas tij, shqetësues është edhe fakti që vendimi po rikthehet për shqyrtim në Kuvend.

“Ta shqyrtojmë dekretin e presidentes. E para, ne jemi vonuar në këtë diskutim, dhe vonesën e bën edhe më problematike dhe më shqetësuese fakti që ne po e kthejmë vendimin në Kuvend”, ka deklaruar Tahiri, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka theksuar se qëndrimi i Aleancës për këtë çështje ka qenë i qartë që nga fillimi, duke kërkuar që Kosova sa më parë t’i marrë përgjegjësitë e veta dhe të ofrojë mbështetje për çlirimtarët.

“Çka është e rëndësishme për Aleancën, nga dita e parë, pra kur është marrë vendimi më 16 shtator, është që sa më shpejt që është e mundur Kosova t’i marrë përgjegjësitë e veta dhe t’i ndihmojë çlirimtarët tanë”, është shprehur ai.

Në këtë drejtim, Tahiri ka bërë të ditur se Aleanca do ta mbështesë qëndrimin e sponsorizuesit të ligjit, si në Komisionin për Legjislacion, ashtu edhe në seancën plenare.

“Rrjedhimisht, si grup parlamentar, ne e themi kështu: ne do ta mbështesim pozicionin e sponsorizuesit dhe këtu me votë në Komision edhe në seancë”, ka deklaruar Tahiri.

Megjithatë, ai ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria, në rast se konsiderojnë të nevojshme ndryshimin apo amendamentimin e dispozitave të këtij ligji, ta nisin menjëherë procesin, pa anashkaluar procedurat parlamentare.

“Mirëpo kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës, nga Qeveria, në qoftë se kërkesa është për amendamentim, për ndryshim të këtij ligji, të neneve, kjo të ndodhë jo me shpejtësi të tepsisë, por me shpejtësi të dritës”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se Aleanca nuk dëshiron të ndalet te zhvillimet e së kaluarës, por kërkon që nga ky moment të ndiqet një qasje e qartë institucionale, fillimisht të shqyrtohet dekreti, e më pas të nisë procesi i ndryshimeve ligjore përmes procedurës së rregullt.

“Për të kaluarën s’dua të flas. Tash e tutje është ky. Po, vjen në seancë, vjen dekreti, e rrëzojmë dekretin dhe kërkojmë nga ju që ta nisni menjëherë procesin e ndryshimit mbi procedurën e rregullt. Ne nuk guxojmë kurrsesi me ndryshu në procedurë”, theksoi deputeti.