Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për reformat, integrimin evropian të Kosovës dhe nevojën për hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtojë reformat”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova ka miratuar ligjin e fundit për integrimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke vlerësuar se kjo do t’u sjellë përfitime financiare qytetarëve, bizneseve dhe diasporës.
“Javën e kaluar miratuam ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërkohë shpejt fillojnë negociatat për ‘Roam like at Home’ për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë”, ka shkruar ai.
Kurti ka kërkuar që përparimi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta evropiane dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së të pasqyrohen në vendime konkrete nga institucionet evropiane.
“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë”, ka deklaruar Kurti.
Ai e ka cilësuar të rëndësishme mbështetjen e Komisionit Evropian për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka theksuar kryeministri.
Në postimin e tij, Kurti ka përmendur edhe marrëveshjet e Procesit të Berlinit, duke kërkuar zbatimin e tyre nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.
“Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia”, ka shkruar Kurti.
Burimi: RTKLive
