“Të gjuaj prej dritare” -Aktakuza për dy kanosje dhe dëshmitë për sulm ndaj dy grave: Universiteti i Prizrenit hesht për rastet e prof.Shkëlqim Millaku që ndodhen brenda kampusit

“Të gjuaj prej dritare” -Aktakuza për dy kanosje dhe dëshmitë për sulm ndaj dy grave: Universiteti i Prizrenit hesht për rastet e prof.Shkëlqim Millaku që ndodhen brenda kampusit

Written by

in

“Të gjuaj prej dritare” -Aktakuza për dy kanosje dhe dëshmitë për sulm ndaj dy grave: Universiteti i Prizrenit hesht për rastet e prof.Shkëlqim Millaku që ndodhen brenda kampusit

Prokuroria e akuzon për dy raste të kanosjes ndaj kolegeve, ndërsa njëra prej tyre ka dëshmuar edhe për një sulm fizik gjatë një mbledhjeje të fakultetit. Avokatët kanë kërkuar pezullimin e profesorit dhe marrjen e masave për sigurinë në vendin e punës, por rektorati nuk ka dhënë përgjigje. Millaku i mohon të gjitha pretendimet dhe thotë se është i pafajshëm.

Visar Duriqi

Profesori Shkëlqim Millaku, i cili ligjëron në fushën e gjuhësisë dhe morfosintaksës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit publik “Ukshin Hoti” në Prizren, po vazhdon të mbajë pozitën e tij në këtë institucion, pavarësisht një aktakuze të ngritur ndaj tij për dy vepra penale të kanosjes ndaj kolegeve të tij.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 23 tetor 2026, ka ngritur aktakuzë ndaj Millakut, lidhur me dy raste të ndara të ndodhura në ambientet e universitetit gjatë majit të vitit 2025. Përveç këtyre dy rasteve, në dosjen e prokurorisë figuron edhe dëshmia e njërës prej profesoreshave, e cila pretendon se Millaku e kishte goditur në kokë gjatë një mbledhjeje të fakultetit. Këtë rast ajo thotë se e kishte raportuar veçmas në polici.

Sipas aktakuzës, rasti i parë i kanosjes ka ndodhur më 12 maj 2025, në korridorin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit. Pas garës për senator, në të cilën rezultati ishte barazim 6 me 6 dhe profesoresha Rezarta Ramadani-Hyseni ishte zgjedhur me short, Millaku dyshohet se i ishte afruar asaj dhe i kishte thënë: “Sot është hapur një dritare e re dhe e sheh ti se kush është Shkëlqim Millaku”.

Rasti i dytë, sipas prokurorisë, ka ndodhur katër ditë më vonë, më 16 maj 2025, gjatë mbledhjes së Senatit për zgjedhjen e dekanit.

Millaku, sipas aktakuzës, dyshohet se kishte hyrë në zyrën ku ndodhej Vjollca Dibra-Ibrahimi, e në prani të dëshmitarëve Xhafer Beqiraj dhe Albana Krasniqi-Muharremi, pasi i kishte kërkuar ta lironte zyrën, ai dyshohet se i ishte drejtuar me fjalët: “Mbylle gojën se të kapi për krahu dhe të gjuaj prej dritare”.

Prokuroria, në arsyetimin e aktakuzës, thotë se deklarimet e të dëmtuarave mbështeten edhe nga dëshmitë e dhëna në polici. Ndërkaq, Vjollca Dibra-Ibrahimi ka deklaruar se pas rastit kishte përjetuar ankth, frikë dhe pagjumësi, për çka kishte kërkuar trajtim mjekësor në Repartin Psikiatrik në Prishtinë.

Por, përtej dy rasteve të kanosjes për të cilat është ngritur aktakuza, në dosjen e prokurorisë gjendet edhe një pretendim tjetër i rëndë. Në deklaratën e dhënë më 26 janar 2026, profesoresha Rezarta Ramadani-Hyseni ka dëshmuar se më 3 qershor 2025, gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Fakultetit Filologjik, ku ishte miratuar pozita e saj si profesoreshë asistente, Millaku ishte ngritur demonstrativisht dhe, derisa po largohej, e kishte goditur në kokë. Ajo ka deklaruar se këtë rast e kishte raportuar veçmas në polici.

Përfaqësuesit ligjorë të dy profesoreshave, avokatët Mentor Beqiri dhe Vjosë Beqiri Meta, i janë drejtuar zyrtarisht Universitetit “Ukshin Hoti” më 26 tetor 2026. Në kërkesën e protokolluar bashkë me aktakuzën, ata kanë kërkuar që universiteti të konstatojë shkakun ligjor për pezullimin e Millakut sipas detyrës zyrtare, duke u bazuar në nenin 86, paragrafi 2, lidhur me nenin 69, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, të ndryshuar me Ligjin Nr. 08/L-294. Po ashtu, kanë kërkuar marrjen e masave për garantimin e sigurisë në vendin e punës.

Kërkesa i është përcjellë rektorit të universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, nga Sekretari i Përgjithshëm më 4 nëntor 2026, përmes shkresave zyrtare që i ka Gazeta Insajderi.

Por, meqë nuk kishin marrë përgjigje, dy profesoreshat më 9 nëntor kanë dorëzuar edhe një shkresë urgjente, përmes së cilës kanë kërkuar vendim të arsyetuar me shkrim dhe marrjen e masave parandaluese.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij artikulli, menaxhmenti i Universitetit “Ukshin Hoti” nuk u është përgjigjur as kërkesave të profesoreshave dhe as pyetjeve të redaksisë lidhur me rastin dhe arsyet pse Millaku vazhdon të ushtrojë detyrën e profesorit.

Insajderi e ka pyetur edhe Këshillin drejtues të këtij universiteti publik, dhe e ka njoftuar edhe Ministrin e Arsimit në Qeverinë e Albin Kurtit, Hajrullah Çeku, por as nga ta ende nuk ka marrë ndonjë koment

Në anën tjetër, vetë Shkëlqim Millaku i kontaktuar nga Insajderi, ka mohuar të gjitha akuzat në përgjigjen e tij me shkrim për Insajderin, duke deklaruar se është i pafajshëm.

Ai ka thënë se deri në atë moment nuk kishte pranuar ndonjë shkresë zyrtare për hapjen e aktakuzës. Megjithatë, sipas dosjes së prokurorisë, Millaku ishte proceduar në polici më 19 maj 2025 dhe në prokurori më 6 korrik 2026, ndërsa në procedurë ka pasur mbrojtës avokatin Mark Abazi.

Millaku ka pretenduar se çështjet që lidhen me pozitën e tij si profesor nuk duhet të përzihen me kontestet për zgjedhjet në funksionet akademike, duke theksuar se organet e drejtësisë janë të pavarura, ani pse dy rastet për të cilat ai ka aktakuzë janë me dy gra, dy profesoresha që punojnë me të, e rastet sipas aktakuzës kanë ndodhur në kampusin e këtij universiteti publik.

Sa u përket pretendimeve të Rezarta Ramadani-Hysenit për rastin e 12 majit 2025, ai ka mohuar të ketë pasur komunikim kërcënues me të. Edhe pretendimin se e kishte goditur në kokë më 3 qershor e ka cilësuar si “inskenim”, duke iu referuar ankesës së tij me numër 05-01, të datës 23 maj 2025, lidhur me kualifikimet e saj.

Millaku ka mohuar edhe pretendimet për ngjarjen e 16 majit 2025. Ai ka thënë se nuk kishte hyrë brenda zyrës së Vjollca Dibra-Ibrahimit dhe as nuk i kishte thënë fjalët që përshkruhen në aktakuzë.

Sipas versionit të tij, ai kishte komunikuar vetëm nga dera, lidhur me dorëzimin e çelësit dhe zyrës. Në këtë kontekst, ai është thirrur në vendimin me numër 05-605, të datës 12 maj 2025, sipas të cilit ushtruese e detyrës së dekanes ishte Teuta Kafexholli, ndërsa ka vënë në pikëpyetje edhe procedurat e emërimit të dëshmitares Albana Krasniqi-Muharremi.

Në përgjigjen e tij, Millaku ka përmendur gjithashtu një aktvendim të datës 15 shtator 2026, me numër PP/II Nr.1225-19/26, përmes të cilit ishte hedhur një kallëzim penal i paraqitur nga Dibra-Ibrahimi. Ai ka ngritur edhe kundërpretendime lidhur me konfliktet e mëhershme administrative dhe gjyqësore brenda fakultetit./ Gazeta Insajderi

Burimi: Insajderi