
Dy muaj pas shpalljes së aktgjykimit në rastin e parë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën do të përballet me një tjetër vendim të Gjykatës Speciale në Hagë, kësaj radhe në rastin ku akuzohet për pengim të drejtësisë.
Për seancën e së martës, Dhomat e Specializuara kanë përfunduar të gjitha përgatitjet procedurale derisa ka akredituar familjarët e mediat e interesuara që do të përcjellin nga afër vendimin e trupit gjykues ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit.
“Të gjithë familjarët që kanë aplikuar janë pranuar për ta ndjekur seancën fizikisht. Po ashtu, janë pranuar të gjithë përfaqësuesit e mediave që kanë aplikuar brenda afatit të përcaktuar. Nëntë përfaqësues të mediave janë konfirmuar se do të jenë të pranishëm në objektet e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për RTK.
Ndërkaq, avokatët kosovarë nuk presin një vendim në favor të ish-presidentit Thaçi. Ata thonë se pritjet e tyre ndikohen edhe nga aktgjykimi i 16 shtatorit, kur Thaçi dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së u shpallën fajtorë në rastin e parë.
“Në qoftëse shikojmë se aktgjykimi i shkallës së parë në rastin e parë tanimë veç është sjell me të cilin është dënuar Hashim Thaçi, atëherë rezulton se nuk ka pasur vepër penale për këtë rastin e dytë sepse nuk ka pas asnjë ndikim tek dëshmitarët për të ndryshuar deklaratat e tyre”, tha Betim Shala, avokat i licencuar nga Specialja.
“Nuk pres që gjykata t’i dënojë aq sa ka kërku prokuroria, pres dënime relativisht më të ulëta edhe për Thaçin dhe të tjerët. Deri tash gjykata ka nxjerrë disa aktgjykime për pengim të drejtësisë, ku dënimi më i lartë ka qenë katër vjet e gjysmë. Por, mendoj se do mund të ketë dënime të kësaj natyre edhe më të ulëta”, theksoi Arbër Jashari, avokat.
Ndërkohë, Prokuroria e Specializuar ka kërkuar që Hashim Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim. Ajo ka kërkuar gjithashtu që periudha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në vuajtjen e dënimit të mundshëm.
Burimi: Insajderi