Disa media botërore raportojnë se kanë mbetur disa të vdekur, pasi dy trena me shpejtësi të lartë janë përplasur në Spanjë.
Ky aksident edhe ka çuar në pezullimin e linjës që lidh Madridin me rajonin jugor të Andaluzisë, njoftoi të mërkurën operatori hekurudhor Adif.
Ndërkohë që nuk dihet numri i saktë i të lënduarve apo i viktimave, media të ndryshme raportojnë se bëhet fjalë për të paktën dhjetë të vdekur dhe të tjerë të lënduar, përcjell Telegrafi.
“Qarkullimi në linjën hekurudhore me shpejtësi të lartë Madrid-Andaluzi është pezulluar pas një përplasjeje nga pas midis dy trenave”, deklaroi Adif në një mesazh të postuar në platformën X.
Një tren i kompanisë Renfe dhe një tjetër i kompanisë Iryo u përplasën pak pas orës 09:00, duke bërë që dy vagonë të trenit Iryo të dilnin nga shinat, njoftoi një zëdhënës qeveritar për rajonin e Castilla-La Mancha, duke shtuar se shkaku i incidentit dhe numri i të lënduarve janë ende duke u përcaktuar.
Operatori hekurudhor Adif bëri të ditur se ngjarja ndodhi midis qytezave Mora dhe Orgaz, dhe përfshiu një tren të kompanisë Renfe dhe një tren me shpejtësi të lartë të kompanisë Iryo, të cilët po udhëtonin nga Madridi drejt Seviljes.
Manuel Galan, kryetari i bashkisë së Urda-s, pranë qytetit qendror të Toledos, tha se shërbimet e emergjencës i kanë kërkuar të përgatisë një sallë sportive për të strehuar personat e lënduar. /Telegrafi/