Siç raporton Euronews, kryeministri bullgar, Rumen Radev, ka thirrur ambasadorin rus pas sulmeve me dronë ndaj një anijeje mallrash në pronësi ukrainase, ndërsa një anije tjetër u godit dhe u fundos më në veri, pranë brigjeve bullgare.
Radev bëri të ditur se anija ukrainase “Chelsea 3” ishte goditur nga tre dronë ajrorë, ndërsa pak më vonë ishte goditur edhe një anije tjetër.
“Nuk kemi prova të forta dhe të qarta për të ngritur akuza ndaj ndonjë pale të caktuar; megjithatë, logjika sugjeron se rezultati është në dobi të Federatës Ruse”, deklaroi Radev, duke e cilësuar sulmin si të papranueshëm.
Sipas Euronews, autoritetet bullgare e kanë identifikuar anijen e fundosur si “HS Dignity”, një anije mallrash me flamurin e Guinea-Bisaus, e cila po udhëtonte drejt portit rumun të Brăilës.
Anija u fundos 17 milje detare në lindje të qytetit bullgar Krapets.
“Sipas informacioneve që morëm nga qendra e shpëtimit, pesë persona janë shpëtuar dhe 11 rezultojnë të zhdukur. Këto janë informacione paraprake”, ka deklaruar për AFP-në një zëdhënëse e rajonit të Dobriçit.
Ndërkohë, të 15 anëtarët e ekuipazhit të anijes “Chelsea 3”, shtatë ukrainas dhe tetë azerbajxhanas, janë shpëtuar pasi anija u godit 18 milje detare në lindje të qytetit Byala.
Lidhur me këto sulme ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili pas një bisede me kryeministrin bullgar ka deklaruar se aleanca do të vazhdojë bashkëpunimin me vendet aleate në Detin e Zi.
“Ne tashmë kemi forcuar pozicionimin tonë përgjatë krahut lindor dhe do të vazhdojmë të monitorojmë mjedisin e sigurisë, duke përshtatur masat tona të parandalimit dhe mbrojtjes sipas nevojës”, ka deklaruar Rutte.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka dënuar sulmet, duke i cilësuar si “një tjetër front i përshkallëzimit të luftës ruse në Ukrainë”.
Edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka fajësuar Rusinë, duke e akuzuar Moskën për shpërfillje të qëllimshme të jetëve të civilëve dhe sigurisë detare.
Sipas Euronews, sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi janë shtuar gjatë vitit të fundit. Grupi për menaxhimin e rreziqeve detare, Ambrey, ka raportuar se të paktën 45 anije tregtare janë sulmuar gjatë 12 muajve të fundit në zona që më parë nuk konsideroheshin me rrezik të lartë.
Javën e kaluar, dy anije të tjera tregtare u goditën pranë brigjeve të Bullgarisë, ndërsa nëntë shtetas sirianë dhe një egjiptian vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Këto incidente kanë rikthyer shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe infrastrukturës kritike në Detin e Zi, më shumë se një vit pasi Bashkimi Evropian prezantoi strategjinë për forcimin e sigurisë në këtë rajon.
Strategjia, e prezantuar në maj të vitit 2025, synon mbrojtjen e korridoreve detare, porteve dhe infrastrukturës kritike, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve aleate për sigurinë në Detin e Zi.
Burimi: RTKLive
