
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Turqi, ku dyshohet se një person ka shtënë me armë zjarri, me ç’rast 8 persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Mediat turke kanë raportuar se rasti ka ndodhur gjatë së enjtes, në lagjen “Ihsaniye” të provincës Afyonkarahisar.
Sipas raportimeve, mes viktimave janë edhe dy mësuese, ndërsa informacionet paraprake kanë bërë të ditur se autori i dyshuar ndalonte rastësisht automjete në rrugë dhe hapte zjarr ndaj pasagjerëve të tyre.
Ngjarja u zbulua pasi forcat e sigurisë gjetën trupat e pesë personave brenda dy automjeteve të ndryshme, raporton CNN Turk, transmeton Klankosova.tv
Hetimet e mëtejshme zbuluan se i dyshuari, pasi ishte larguar nga vendet e para të sulmeve, ishte drejtuar në një tjetër zonë, ku qëlloi dhe vrau dy persona të tjerë me një pushkë gjahu.
Prefektura e Afyonkarahisarit konfirmoi zyrtarisht se bilanci i sulmeve të armatosura është tetë persona të vrarë dhe një i plagosur rëndë.
Autoritetet turke po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmeve dhe lëvizjet e të dyshuarit, ndërsa po vazhdojnë edhe procedurat për identifikimin e të gjitha viktimave.
Autori i dyshuar, pas shumë përpjekjeve, është arrestuar nga autoritetet turke.