
Ylli kryesor i Minnesota Timberwolves, Anthony Edwards, pas lëndimit që pësoi në fillim të sezonit të ri në NBA, iu nënshtrua me sukses një ndërhyrjeje artroskopike në gjurin e djathtë.
Timberwolves konfirmuan se intervenimi ishte i suksesshëm për pastrimin e zonës së dëmtuar dhe “Antman” pritet të rikuperohet plotësisht.
Megjithatë, klubi nuk ka dhënë një datë konkrete për rikthimin e tij. Sipas raportimeve mediatike, Edwards mund të mungojë deri në dy muaj, një afat që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Minnesota Timberwolves.
Mungesa e tij është një goditje e rëndësishme për skuadrën, pasi Edwards e kishte nisur sezonin me mesatare prej 33.3 pikësh, 4.8 kërcimesh dhe 3.5 asistimesh në katër ndeshjet e para.
Ai kishte regjistruar gjithsej 133 pikë, duke vendosur rekord të klubit për pikët e shënuara në katër ndeshjet e para të sezonit.