Një telefonatë 90-minutëshe mes presidentit të Finlandës, Alexander Stubb, kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Støre, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ka shkaktuar përçarje të rrallë mes vendeve nordike. Kryeministrat e Danimarkës dhe Suedisë e vunë në pikëpyetje nismën diplomatike, duke shprehur dyshime se Moska është e gatshme për paqe.
Telefonata u iniciua nga Stubb dhe Støre, të cilët së fundmi kishin organizuar në Oslo një raund bisedimesh për paqe. Gjatë komunikimit, ata i kërkuan Putinit t’i japë fund pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës dhe të angazhohet në negociata serioze për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
“Diskutimi ishte i drejtpërdrejtë dhe përmbajtësor”, deklaroi Stubb, duke theksuar se rezultati i luftës do të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e Finlandës dhe të gjithë Evropës. Sipas tij, përfundimi i luftës kërkon bisedime të drejtpërdrejta.
Edhe Støre tha se gjatë telefonatës ishte theksuar rëndësia e uljes së tensioneve. Në njoftimin pas bisedës u sqarua se dy liderët folën në emër të vendeve të tyre dhe jo në emër të Evropës në tërësi.
Menjëherë pas telefonatës, Stubb dhe Støre kontaktuan presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili i falënderoi për mbështetjen e tyre aktive, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, nisma u prit me kritika nga kryeministrja daneze, Mette Frederiksen. Ajo argumentoi se përshkallëzimi i veprimeve ruse kundër Ukrainës tregon se Moska nuk është serioze në përpjekjet për diplomaci.
“Jam shumë skeptike ndaj kësaj nisme të pavarur të Norvegjisë dhe Finlandës. Ajo nuk është koordinuar me asnjërin prej nesh”, deklaroi Frederiksen.
Ajo tha se nuk sheh shenja se Rusia dëshiron paqe me Evropën, duke përmendur si luftën në Ukrainë, ashtu edhe atë që e përshkroi si luftë hibride të përditshme. Frederiksen vuri në pikëpyetje edhe efektivitetin e telefonatës, duke e krahasuar me përpjekjet e mëparshme të liderëve që kanë vepruar të pavarur nga partnerët evropianë, përfshirë vizitën e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán në Moskë.
“Vërtet nuk e di çfarë mendojnë se mund të arrijnë me këtë”, tha ajo, duke theksuar se vendet evropiane duhet të ruajnë unitetin në qëndrimin ndaj Rusisë.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, u shpreh më i përmbajtur, por gjithashtu ngriti dyshime për efektin e bisedimeve. Sipas tij, përshtypja është se të gjithë duan paqe, përveç Putinit, ndaj pritshmëritë për këtë lloj komunikimi të drejtpërdrejtë janë të ulëta.
Kristersson paralajmëroi se bisedimet që rrezikojnë të përçajnë qëndrimin evropian mund të jenë problematike, por shtoi se ende nuk e di se çfarë është diskutuar konkretisht. Ai theksoi se çdo bisedë që e bën Rusinë më të gatshme për një paqe të drejtë, sipas kushteve të Ukrainës, është pozitive.
Në përgjigje të kritikave, Støre argumentoi se Evropa duhet të komunikojë me Rusinë për të plotësuar mesazhet e administratës amerikane, e cila ka një qasje të ndryshme ndaj luftës.
Stubb, Støre, Frederiksen dhe Kristersson ndodheshin në Helsinki për një takim të nivelit të lartë të Këshillit Nordik. Përplasja mes tyre shihet si domethënëse, pasi katër vendet zakonisht mbajnë qëndrim të përbashkët për luftën ruse në Ukrainë. Ato janë ndër donatorët më të mëdhenj dypalësh të Kievit dhe mbështetës të zëshëm të sanksioneve gjithnjë e më të ashpra ndaj Moskës. /Telegrafi/